Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah ibën Baz (1420 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 2/fq. 666, botimi i Tajjar-it

Burimi: https://bit.ly/2sUyg7Z

 

 

Pyetje: Disa pyetëse thonë: “Kemi dëgjuar Shejkh Ibën Bazin në një takim të mëparshëm të takimeve ‘Nurun ‘ala Derb (Dritë në Shteg)’ se nëse gruaja pastrohet nga lehonia para ditës së dyzet, ajo mund të falet dhe të agjërojë. Pyetja është: nëse gruas i kthehet gjaku përsëri pas këtij pastrimi gjatë dyzet (40) ditëve të lehonisë, a e ka në rregull agjërimin që ka bërë? Dhe a i lejohet burrit që të ketë marrëdhënie me gruan gjatë këtyre dyzet (40) ditëve nëse ajo pastrohet?

 

Përgjigje: Po! Nëse gruaja pastrohet brenda këtyre dyzet ditëve – siç kemi thënë – ajo falet dhe është e lejuar që burri të ketë marrëdhënie intime me të, edhe nëse nuk janë mbushur tamam dyzet ditë, ngaqë gjykimi lidhet me pastrimin. Nëse gruaja sheh së është pastruar dhe i kanë kaluar njëzet (20) ditë ose tridhjetë (30) ditë nga dita e lehonisë, atëherë pastrimi i saj është i saktë dhe pas kësaj ajo e ka detyrë të lahet, të marr abdes, të falet, i lejohet të agjërojë dhe është e lejuar për burrin e saj, edhe në qoftë se nuk i ka mbushur dyzet (40) ditë, për shkak se ajo është pastruar nga lehonia.

 

Pra, nëse gjaku i kthehet brenda këtyre dyzet (40) ditëve, për shembull: ajo pas një muaji është pastruar dhe tre a katër ditë me radhë ka qenë e pastër, pastaj i kthehet gjaku përsëri në ditën tridhjetë e pesë (35) ose në ditën e tridhjetë e gjashtë (36), e sakta është se ky kthim i gjakut konsiderohet lehoni dhe ajo nuk falet, nuk agjëron dhe nuk lejohet që të ketë marrëdhënie me burrin e saj. Por agjërimi dhe namazi i saj që i ka bërë gjatë ditëve të pastërtisë, janë të saktë.

 

Ditët që ka agjëruar kur ka qenë pastër janë vlefshme dhe ajo nuk e ka detyrë që të agjërojë përsëri dhe as ta kompensojë atë, përkundrazi ai është agjërim i saktë që është bërë në kohën e duhur si dhe namazi është bërë në kohën e duhur. Pra agjërimin dhe namazin i ka të saktë. Në lidhje me atë që burri ka patur marrëdhënie me të gjatë atyre ditëve, nuk ka ndonjë të keqe këtu, ngase i është afruar asaj kur ajo ka qenë e lejuar për burrin dhe kur ka qenë e pastër. 

 

Në lidhje me kthimin e gjakut gjatë këtyre dyzet ditëve, për këtë gjak që kthehet përsëri disa dijetarë kanë thënë se është i dyshimtë, por e sakta është se ai nuk është i dyshimtë, përkundrazi, konsiderohet gjak i lehonisë sikur gjaku që kthehet në kohën menstruacioneve, kështu gruaja në këtë kohë nuk falet dhe nuk agjëron.

 

E nëse kalojnë dyzet (40) ditët e lehonisë dhe gjaku nuk ndalet, në thamë më përpara se ky është gjak shtesë i cili konsiderohet gjak i çrregullt dhe pas dyzet (40) ditëve nëse ky gjak vazhdon të dalë, gruaja mund të falet dhe të agjërojë; gruaja e konsideron këtë gjak i çrregullt i lehonisë. Gjatë kësaj kohe, ajo vendos peceta higjenike apo diçka të ngjashme dhe merr abdes për çdo namaz dhe i fal namazet në kohën e vet, ose nëse i bashkon namazin e drekës me të ikindisë dhe akshamin me jacinë, s’ka problem për këtë. Gjithashtu, asaj i lejohet që të ketë marrëdhënie intime me burrin e saj.

 

Nëse ajo i bashkon namazin e drekës me atë të ikindisë dhe namazin e akshamit me atë të jacisë, kjo është më e mirë për gruan që ka çrregullime menstruale ose për ato që futen në këtë gjykim (siç është me kalimin e dyzet ditëve të lehonisë). Pra, ajo merr një abdes për të falë drekën me ikindinë, merr një abdes për të falë akshamin dhe jacinë dhe merr një abdes për të falë sabahun, nëse e ka të lehtë një gjë të tillë, siç i porositi Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – disa gra që kishin çrregullime menstruale.

 

Përktheu: Jeton Shasivari