Bismilah...

Burimi: Nurun ‘ala Derb, nr. 188

 

Pyetje: Pas kësaj po kalojmë te letra e vëllait të nderuar, Jahja Gulam. Ai në letrën e tij thotë: “Dëshiroj nga i nderuari Doktor Salih që të flasë për dispozitën e rrobave që Allahu, i Madhëruar dhe i Lartësuar, e ka bërë obligim për gruan Muslimane sipas Kuranit dhe Sunetit.”

Përgjigje: Rroba që Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar e ka bërë obligim për gruan Muslimane, është ajo rrobë që mbulon dhe që ka këto cilësi:

E para: të jetë e bollshme që mbulon krejt trupin e gruas në prani të burrave, përveç atyre që ajo i ka mahrem.

E dyta: të jetë e gjerë dhe jo e ngushtë që tregon format dhe vijat trupit të saj, sepse kështu ajo është fitne. Përkundrazi, rroba duhet të jetë e gjerë dhe e bollshme.

E treta: të mos ketë zbukurim kur ajo del me të para burrave të cilët nuk janë mahrem të saj, por duhet të jetë veshje e zakonshme që nuk bie në sy të njerëzve dhe njerëzit nuk joshen.

E katërta: të mos jetë rrobë që ngjan me rrobat e burrave apo t’u ngjajë grave pabesimtare me të, për shkak se i Dërguari i Allahut ka thënë:

لعنَ اللهُ المتشَبِّهاتِ مِنَ النساءِ بالرجالِ، والمتشبهينَ منَ الرجالِ بالنساءِ.

“Allahu i ka mallkuar ato gra që u ngjajnë burrave dhe Allahu i ka mallkuar ata burra që u ngjajnë grave!” (Sahihul-Xhamië, 5100)

Po ashtu i Dërguari i Allahut ka thënë:

ليس منا مَن تَشَبَّهَ بغيرِنا

“Nuk është prej nesh ai që u përngjason të tjerëve!”

(Sahihu Tirmidhij, 2695).

Po ashtu, i Dërguari i Allahut ka thënë:

مَن تَشبَّهَ بقَومٍ فهو منهم

“Ai që i ngjan një populli, atëherë është sikur ata!”

(Sunen Ebi Daud, 4031)

 

Përktheu: Jeton Shasivari