Autor: Abdul-Aziz ibën Baz
Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 31, fq. 88-89
Pyetje: Unë jam një i ri, i martuar dhe jetoj me familjen time në një shtëpi ku jetojnë edhe vëllezërit e mi dhe fëmijët e xhaxhait tim. Nusja ime ngushtohet për shkak të përzierjes që ndodh me vëllezërit e mi dhe fëmijët e xhaxhait tim. Çfarë më këshilloni? A më këshilloni që të zgjedh një shtëpi tjetër? Allahu ju shpërbleftë me të mira!
Përgjigje: Shiko atë që është më e mira dhe më e përshtatshme për ty. Nëse gruaja jote është e kujdesshme dhe ka mundësi që të ruhet nga përzierja e cila mund të bëhet shkak për të patur mendim të keq për të, atëherë nuk ka problem që të qëndrosh me familjen tënde. Por, nëse ka përzierje nga e cila ka frikë se mund të ketë fitne për shkak të vëllezërve të tu apo djemve të xhaxhallarëve të tu dhe se nusja jote ka vështirësi që të ruhet nga kjo përzierje, atëherë gjëja më e mirë për ty dhe më e përshtatshme për gruan tënde është që të ndahesh nga ata duke banuar në një shtëpi tjetër dhe kjo është më larg rrezikut.
Por, nëse shtëpia është e gjerë dhe gruaja jote ka mundësi që të ruhet nga përzierja me vëllezërit e tu dhe djemtë e xhaxhallarëve të tu dhe nga ajo përzierje nuk ka frikë se mund të ndodh fitne, atëherë në këtë rast nuk ka nevojë që të dalësh nga shtëpia, por qëndron me familjen tënde dhe qëndron në vendin tënd të caktuar apo në banesën tënde nëse ajo është shtëpi e madhe dhe nuk ka rrezik të përzierjes për gruan tënde, ngaqë është shtëpi e gjerë dhe ajo ka mundësi të qëndrojë vetëm në privatësinë e saj pa u përzier dhe pa patur ndonjë siklet.
Përktheu: Jeton Shasivari