Shejkh Muhammed Ali Ferkus
Burimi: Sahab.net
Pyetje: Cili është gjykimi i veshjes së nuses me fustan të bardhë ditën e dasmës?
Përgjigje: Lavdia i takon Zotit të Botëve, lavdërimet dhe bekimet qofshin mbi atë të cilin Ai e dërgoi si mëshirë për botrat, si dhe mbi Familjen, Shokët dhe vëllezërit e tij, deri në Ditën e Gjykimit, e më pas:
Dihet se veshja e fustanit dhe vellos së bardhë është karakteristikë e dasmave të krishterëve dhe ajo është prej veshjeve të tyre në aspektin fetar e në aspektin e dynjasë. Dhe nëse prej të drejtave të armiqësisë (armiqësia për hir të Allahut) është që muslimani të mos u bashkohet qafirave në festat dhe gëzimet e tyre dhe as t’i urojë ata në to për shkak se ato janë “të rreme”, ashtu sic e kanë shpjeguar disa dijetarë fjalën e Allahut të Lartësuar:
وَالَّذِينَ لاَ يَشْهَدُونَ الزُّورَ
“Dhe ata të cilët nuk dëshmojnë të rremen...” [El-Furkan,72]
Domethënë, festat e dhe gëzimet e mushrikëve. Kështu që, nuk lejohet përngjasimi me ta në festat e tyre dhe në mënyrën e tyre të të veshurit. Dhe është vërtetuar ndalimi nga përngjasimi në festat dhe mënyrën e të veshurit të tyre nga thënia e Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
مَنْ تَشَبَّهَ بِقَوْمٍ فَهُوَ مِنْهُمْ
“Kush i përngjason një populli, ai është prej tyre.” [1]
Dhe ka ardhur në Sahihun e Muslimit se Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
هَذِهِ مِنْ ثِيَابِ الكُفَارِ فَلاَ تَلْبَسْهَا
“Kjo është prej veshjeve të kufarëve, prandaj mos i vish ato.” [2]
Prandaj, është e ditur se në shoqërinë Islame veshja e bardhë është karakteristikë për meshkujt dhe jo për femrat dhe nusja e zbukuruar me të bardha u përngjason burrave. Dhe vërtet, “I ka mallkuar i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, gratë që u përngjasojnë burrave” [3], e lëre më pastaj që ai (hadithi) përfshin edhe veshjet të cilat bien në sy, të cilat janë të ndaluara. Prandaj, ato duhet të braktisen e të hiqet dorë nga ato dhe të mbahen veshjet që janë në përputhje me Sheriatin, të veçanta vetëm për femrat sipas asaj që ka ardhur në tekstet Sheriatike dhe të mos i kundërshtojnë ato.
Dhe Allahu e di më së miri. Lutjet tona të fundit janë: të gjitha lavdet janë për Allahun, Zotin e botëve, Allahu dhënë lavdërime dhe bekime të shumta mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij, Shokët e tij dhe vëllezërit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Fundnota:
[1] E ka transmetuar Ebu Davudi tek “Veshjet” (n.4033), Ahmedi (n.5232), Ibn Ebij Shejbeh në el-Musannef (n.33016) nga hadithi i Ibn ‘Umerit (radij-Allahu ‘anhuma). Hadithin e ka deklaruar “hasen” Ibn Haxheri në Fet`hul-Barij (10/271), e ka deklaruar “sahih” el-Irakij në Takhrijxh el-Ihjaa` (1/359) dhe el-Albanij në el-Iruaa` (n.1269). Shiko gjithashtu Nasbur-Rrajeh të Zejle’iut (4/347).
[2] E ka transmetuar Muslimi në “Veshjet dhe Zbukurimi” (n.2077) dhe Bejhakiu (n.8900) nga hadithi i ‘Abdullah Ibn ‘Amru el-‘As (radij-Allahu ‘anhu).
[3] E ka transmetuar Ebu Davudi tek “Veshjet” (n.4097), Tirmidhiu në “Edukata” (n.2784), Ibn Maxheh tek “Martesa” (n.1904), Ahmedi (n.2291) dhe Taberanij në el-Muëxhem el-Uesijt (n.4003), nga hadithi i Ibn ‘Abbasit (radij-Allahu ‘anhuma). Hadithin e ka saktësuar Ahmed Shakir në reçensimin që i ka bërë Musnedit të Ahmedit (4/79) dhe el-Albanij në Sahih el-Xhamië (n.5100) dhe në Gajetul-Meram (n.87).
Përktheu: Umm ‘Akil