Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=125689
Është pyetur shejkhu i nderuar Muhamed bin Salih el-Uthejmin, rahimehullah:
Pyetje: Cili është gjykimi i vendosjes së unazës argjend së martesës nga burrat dhe gratë?
Përgjigje: Vendosja e unazës prej burrave edhe prej grave është prej çështjeve të shpikura (bidat) dhe ndoshta është edhe prej çështjeve të ndaluara sepse disa njerëz besojnë se unaza është sebeb për vazhdimësinë e dashurisë midis gruas dhe burrit; dhe për këtë arsye na është përmendur se disa prej tyre shkruajnë tek unaza emrin grave të tyre dhe gruaja shkruan tek unaza e saj emrin e burrit të saj, sikur me këtë gjë duan zgjatjen e lidhjes midis tyre, e kjo është një lloj shirku sepse ata besojnë në një sebeb të cilin Allahu nuk e ka bërë as me Kader e as me Sheriat. Pra, ç’lidhje ka kjo unazë me dashurinë? Sa prej bashkëshortëve nuk e kanë këtë unazë dhe e kanë dashurinë shumë më të fortë mes njëri-tjetrit dhe sa prej bashkëshortëve e kanë këtë unazë dhe megjithatë ata jetojnë në vuajtje dhe vështirësi me njëri-tjetrin. Kështu, kjo akide e prishur është një lloj shirku dhe
me këtë lloj akideje ata i përngjasojnë jo-muslimanëve sepse kjo unazë ka ardhur nga të krishterët. Prandaj, besimtari e ka detyrë që të largohet nga gjithëcka që ia prish fenë atij.
Ndërsa, që burri të vendosë unazë argjendi, thjesht unazë, jo me besimin se ajo është unazë fejese apo martese që e lidh atë me gruan e tij, atëherë nuk ka problem. Sepse unaza prej argjendi është e lejuar për burrat dhe unaza prej floriri është e ndaluar për burrat. Ngase Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, kur pa në dorën e një sahabi unazë, ia hodhi poshtë dhe tha:
يعمد أحدكم إلى جمرة من النار فيضعها في يده
“Ndonjë prej jush merr një gacë prej zjarri dhe e vendos në dorën e tij”
- Fetvaja e imam AbdulAziz bin Bazit:
Pyetje 1: A është e lejuar apo e ndaluar unaza të cilën i fejuari ia jep të fejuarës së tij? Kërkoj argument dhe a është e saktë se kjo është prurje e krishterë?
Përgjigje: Unë nuk di që kjo të ketë bazë dhe as nuk është prej traditës së muslimanëve. Ajo që kemi dëgjuar është se ajo është prej traditës së të krishterëve dhe se ajo ka mbrritur tek njerëzit nga Libani dhe të tjera vende. Dhe unë mendoj se është detyrë braktisja e kësaj gjëje. Kjo është më e mirë dhe më larg përngjasimit me kufarët. Dhe as nuk na ka arritur ndonjë transmetim nga Selefët tanë të mirë që të kenë vepruar diçka të tillë. Por, bëhet fejesa me gruan dhe i jep asaj atë që ke mundësi prej mehrit dhe me kaq mjafton. Ndërsa, unazat e fejesës apo martesës dhe bufetë e fejesës nuk kanë bazë në Islam.
Video në AudioSelefi.org
Pyetje 2: A është vendosja e unazës së fejesës apo martesës shpikje e krishterë? Sepse kam lexuar se unaza e fejesës apo e martesës për burra dhe gra është shpikje e të krishterëve, edhe nëse është prej argjendi. A është e saktë kjo gjë?
Përgjigje: Unaza për të cilën po pyet pyetësja, nuk di që të ketë bazë dhe ajo që mendojmë ne rreth saj është se në të ka përngjasim me kufarët sepse ajo është prej traditave të tyre, me aq sa kemi marrë vesh. Prandaj, ajo nuk duhet të vendoset. Dhe shenjë e martesës është kërkesa për fejesë dhe rënia dakord midis të fejuarit dhe të fejuarës dhe në momentin që bëhet akti sheriatik, përfundon çdo gjë dhe nuk ka nevojë as për unazën e fejesës dhe as për përngjasimin me armiqtë e Allahut, as me të krishterët dhe as me të tjerët. Dhe është uaxhib largimi nga përngjasimi me armiqtë e Allahut në çdo gjë.
Këto fetva janë dhënë në emisionin Nurun ‘alad-darb.
Fetvaja e Imam Muhamed Nasirud-Diin el-Albanit:
Ka përmendur Imam Albani një paralajmërim që është prej traditave të ndaluara nëpër martesa në fq, 140 në librin “Adabuz-zefaf”, ku thotë:
6- Unaza e fejesës:
Vendosja e unazës prej floriri nga disa burra, të cilën e quajnë “unaza e fejesës” dhe kjo gjë me gjithçka që përmban, është prej imitimit të qafirave sepse kjo traditë ka ardhur prej të krishterëve [1]. Dhe e shpjegon në fund të faqes dhe thotë:
[1] Kjo praktikë e ka origjinën në një traditë të vjetër të tyre (të krishterëve), ku dhëndri ia vendoste unazën nuses në majën e gishtit të madh të dorës së majtë dhe thoshte: “Në emër të Atit”, pastaj e kalonte unazën në majën e gishtit tregues dhe thoshte: “Të birit”, pastaj e vendoste në majën e gishtit të mesit dhe thoshte: “ Të shpirtit të shenjtë” dhe kur thonte: “Amin” e vendoste përfundimisht unazën në gishtin e unazës dhe e linte aty.
- Ky është transkipti i serisë “El-huda uen-nur” të Imam Albanit, kaseta nr.623:
Pyetësi: Pyetja e dytë shejkh i nderuar është: Unë bleva këtë unazë argjendi në Medine dhe e kisha në dorë dhe vëllai ynë Ebu Ahmed, Allahu e shpërbleftë me të mira, më tërhoqi vëmendjen dhe më tha se shejkhu ka dhënë fetva për ndalimin e saj!
Shejkhul Albani: Për ndalimin e çfarë?
Pyetësi: Të kësaj unaze...
Ebu Ahmed: Kjo është unazë fejese!
Shejkhul Albani: Përse ta tha ai këtë fjalë? A e kuptove pse?
Pyetësi: Kuptova nga ai se kjo është prej praktikës së mushrikëve...
Shejkhul Albani: Po, pra dhe jo ngaqë është unazë argjendi...Unaza e argjendit lejohet, kurse çdo gjë që është prej veshjeve të qafirave, prej traditave dhe zakoneve të tyre, nuk lejohet. E nëse kjo unazë është prej tyre, për këtë arsye është e ndaluar... Ti çfarë di rreth kësaj teme?
Pyetësi: Kam parë librin...
Shejkhul Albani: (e ndërpret folësin...) Jo, pyetja ime ishte shumë specifike. Çfarë di ti rreth çështjes së unazës së fejesës? Edhe nëse është prej argjendi, a lejohet?
Pyetësi: Jo, nuk lejohet...
Shejkhul Albani: Po, pra! Pikërisht! Nëse kjo unazë është prej argjendi dhe është unazë fejese, atëherë nuk lejohet. Ndërsa, nëse është unazë argjendi dhe nuk është unazë fejese, lejohet.
Pyetësi: Allahu ua shpërbleftë me të mira!
Video në AudioSelefi.org
Përktheu: Umm ‘Akil