Bismilah...

Autor: Abdul-Azijz bin Baz
Burimi: ibnbaz.org

 

Pyetje: A lejohet të bësh makiazh dhe të shkosh në parukeri, duke patur parasysh se unë jam e mbuluar dhe vishem sipas Sheriatit, në raste festash e martesash, duke e ditur se në parukeri dhe dasma nuk ka burra. Shpresoj të na nderoni me një udhëzim. Allahu ua shpërbleftë me të mira!


Përgjigje: BismIl-lahir-Rahmanir-Rrahim. Lavdia i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi Familjen, Shokët e tij dhe mbi ata që udhëzohen me udhëzimin e tij,  e më pas:

Për sa i përket makiazhit, kjo është një çështje që ka nevojë për shtjellim:
Nëse këto makiazhe (pluhurat) janë të përbëra nga gjëra të lejuara dhe nuk kanë ndonjë rrezik apo ndonjë dëm për fytyrën e gruas, atëherë nuk ka gjë të keqe. Por, nëse këto pluhura janë të përbëra nga alkooli apo nga gjëra që e dëmtojnë fytyrën dhe shkaktojnë njolla të zeza apo gjëra që e dëmtojnë gruan, atëherë nuk lejohen, ngase Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mos dëmtoni vetet dhe mos dëmtoni të tjerët.” Prandaj, që të dyve, besimtarit dhe besimtares, nuk u lejohet që të përdorin gjëra as në fytyrë e as në pjesë të tjera të trupit, të cilat i dëmtojnë ata. Kështu që, nëse këto makiazhe, që janë të njëjtat me pluhurat, e ndriçojnë fytyrën, nuk e dëmtojnë atë dhe nuk përbëhen nga lëndë haram, atëherë në to nuk ka gjë të keqe.

Ndërsa, sa i përket shkuarjes në parukeri, atëherë kjo është një çështje e rrezikshme dhe nuk duhet të shkohet në to dhe as nuk duhet të hapet ajo derë; sepse ajo përmban një të keqe shumë të madhe, humbje të pasurisë dhe ndoshta bëhet mjet për në shirk dhe shkatërrim të madh nëse atë e drejton dikush që nuk beson. Prandaj, unë këshilloj që të mos hapen parukeritë dhe as të shkohet në to. Dhe se çdo grua duhet të mjaftohet me atë që është zakon në shtëpinë e saj, me njerëzit e saj, me motrat e saj, nënën e saj e të tjera dhe nuk ka nevojë që të shkojë në parukeri dhe as nuk duhet që të hapen parukeritë dhe as nuk duhet që shteti ta lejojë një gjë të tillë sepse ajo mbart rreziqe shumë të mëdha. E lusim Allahun t’u japë të gjithëve udhëzim dhe mirëqënie.


Pyetësi: Pra, i këshilloni motrat që të mos shkojnë në këto vende?


Shejkhu: Po, i këshillojmë ato që të mos shkojnë në to dhe gruaja të mjaftohet me atë që është zakon në shtëpinë e saj në lidhje me rregullimin e vetes së saj, me larjen, pastrimin dhe metodën që përdorin njerëzit në rregullimin dhe modelimin e flokëve siç e kanë zakon me njëra-tjetrën. Dhe Allahu i shpëtoi të parët tanë nga këto dhe ata nuk patën nevojë për parukierira.


 

Përktheu: Umm ‘Akil