Autor: Shejkh Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: Mexhmu’u Fetaua, vëll. 1, fq. 152/153
Pyetje: Ka thënë Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: “Do të vazhdojë umeti im të jetë në mirësi për aq kohë sa do ta shpejtojnë iftarin dhe do ta vonojnë syfyrin.” [1] Kurse unë e çel iftarin me muezinin e parë që thërret ezanin në lagjen tonë dhe e ndërpres ngrënien dhe pirjen me muezinin e fundit që thërret ezanin në lagjen tonë. A jam i drejtë dhe i saktë në këtë që veproj?
Përgjigje: Shpejtimi i iftarit po qe se është e sigurt që dielli ka perënduar dhe vonimi i syfyrit deri para hyrjes së agimit, është sunet. Kurse ezanit të muezinit mos iu mbështet për këtë, përveç nëse ai përputhet më orarin e saktë të perëndimit të diellit dhe hyrjes së agimit. Në të kundërt, mbështetuni në ato të dyja (tek koha e perëndimit të diellit dhe hyrjes së agimit), duke u nisur nga thënia e Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
إِنَّ بِلاَلاً يُؤَذِّنُ بِلَيْلٍ فَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّى يُؤَذِّنَ ابْنُ أُمِّ مَكْتُومٍ
“Vërtet që Bilali e thërret ezanin që me natë, kështu që hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektumi”. [2]
Dhe ai (Ibn Ummi Mektumi) ishte një burrë i verbër i cili nuk e thërriste ezanin derisa t’i thuhej: “U gdhi, u gdhi!”
_______________________
Fundnota:
[1] (Shënim i përkthyesit): Në Sahihun e Bukhariut (1957) nga hadithi i Sehl bin Sad, radijAllahu ‘anhu, qëndron me fjalët:
" لاَ يَزَالُ النَّاسُ بِخَيْرٍ مَا عَجَّلُوا الْفِطْرَ "
“Do të vazhdojnë njerëzit të jenë në mirësi për aq kohë sa do ta shpejtojnë iftarin”.
[2] Transmeton Bukhariu (622) dhe Muslimi (1092).
Përktheu: Umm ‘Akil