Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Mexhalisu Shehri Ramadan, fq. 25

 

 

Në Dy Sahihat (Buhariut dhe Muslimit) transmetohet nga Ebu Hurejra – radijAllahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – alejhi salatu ue selam – ka thënë:

 

قَالَ اللَّهُ كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ لَهُ إِلاَّ الصِّيَامَ، فَإِنَّهُ لِي، وَأَنَا أَجْزِي بِهِ‏.‏ وَالصِّيَامُ جُنَّةٌ، وَإِذَا كَانَ يَوْمُ صَوْمِ أَحَدِكُمْ، فَلاَ يَرْفُثْ وَلاَ يَصْخَبْ، فَإِنْ سَابَّهُ أَحَدٌ، أَوْ قَاتَلَهُ فَلْيَقُلْ إِنِّي امْرُؤٌ صَائِمٌ‏.‏ وَالَّذِي نَفْسُ مُحَمَّدٍ بِيَدِهِ لَخُلُوفُ فَمِ الصَّائِمِ أَطْيَبُ عِنْدَ اللَّهِ مِنْ رِيحِ الْمِسْكِ، لِلصَّائِمِ فَرْحَتَانِ يَفْرَحُهُمَا إِذَا أَفْطَرَ فَرِحَ، وَإِذَا لَقِيَ رَبَّهُ فَرِحَ بِصَوْمِهِ

 “Allahu ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është e tija, përveç agjërimit. Agjërimi është i Imi dhe Unë shpërblej për të.” Agjërimi është mburojë. Kur dikush nga ju agjëron, të mos thotë fjalë të kota e të pahijshme dhe të mos grindet dhe të armiqësojë; nëse dikush e shan agjëruesin apo zihet me të, le të thotë se ‘unë jam njeri që agjëroj.’ Pasha Atë që shpirti i Muhamedit është në Dorën e Tij, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu sesa era e parfumit. Agjëruesi ka dy gëzime që do ta gëzojnë: gëzimi kur bën iftar dhe gëzimi kur ta takojë Zotin e tij me agjërimin që ka bërë.” [1]

 

Kurse në transmetimin e Muslimit qëndron:

 

 كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ يُضَاعَفُ الْحَسَنَةُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا إِلَى سَبْعِمِائَةِ ضِعْفٍ قَالَ اللَّهُ إِلاَّ الصَّوْمَ فَإِنَّهُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ يَدَعُ شَهْوَتَهُ وَطَعَامَهُ مِنْ أَجْلِي

 “Çdo vepër e mirë e birit të Ademit shumëfishohet nga dhjetëfish (10) deri në shtatëqindfish (700). Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me përjashtim të agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të; ai e lë epshin dhe ushqimin për hir Tim.” [2]

 

Ky hadith fisnik tregon për vlerën e agjërimit nga disa aspekte:

 

Aspekti i parë: Allahu i dha agjërimit një veçori të veçantë te Vetja e Tij nga mesi i veprave tjera, për shkak të fisnikërisë që ka agjërimi tek Ai dhe shfaqjes së sinqeritetit nga ana e agjëruesit për hir të Tij. Sepse agjërimi është gjë e fshehtë midis robit dhe Zotit të tij. Nuk e shikon agjërimin askush përpos Allahut, ngase agjëruesi mund të qëllojë në një vend ku s’ka njerëz dhe ka mundësi të hajë nga ajo që Allahu ia ka ndalur, kurse ai nuk ha, sepse e di që ka një Zot që e shikon atë edhe kur ai është vetëm. Ai e di që Allahu ia ka ndalur atë.

Kështu ai e lë ushqimin nga frika që ka nga dënimi i Tij dhe dëshira që ka për shpërblimin e Tij. Pra, për shkak të kësaj Allahu i shpreh mirënjohje atij për këtë sinqeritet. Allahu ia ka dhënë një pozitë të veçantë agjërimit te Vetja e Tij nga mesi i veprave tjera, për këtë arsye ka thënë: “Ai e braktis epshin dhe ushqimin për hir Tim.”

Dobia e veçorisë së agjërimit do të dalë në pah Ditën e Gjykimit, siç ka thënë Sufjan bin ‘Ujejneh – Allahu e mëshiroftë:

“Kur të vijë Dita e Gjykimit dhe Allahu ta marr në llogari robin e vet, dhe t’i shlyejë padrejtësitë (ndaj njerëzve) me veprat e tij të mira (sevapet), saqë të mos i ngelet asnjë vepër e mirë përveç agjërimit. Kështu, Allahu i merr përsipër padrejtësitë tjera që i kanë mbetur robit, dhe e fut atë në Xhennet për shkak të agjërimit.” [3]

 

Aspekti i dytë: Në lidhje me agjërimin Allahu thotë “Unë shpërblej për të.” Ai ia atribuoi shpërblimin Vetes së Tij Fisnike, sepse veprave të mira u shumëfishohet shpërblimi. Çdo vepër e mirë shpërblehet nga dhjetëfish deri në shtatëqindfish, si dhe shumëfishime tjera shumë të mëdha. Allahu ia atribuoi Vetes së Tij shpërblimin e pambarimtë të agjërimit, dhe Ai është Dhuruesi më i madh i mirësive dhe më Bujari i bujarëve, kurse dhurata jepet në bazë të mundësisë që ka dhuruesi. Kështu që, shpërblimi i agjëruesit është i shumtë dhe i pambarim.

 

Agjërimi është që të kesh durim duke iu bindur Allahut dhe të kesh durim duke u larguar nga ndalesat e Allahut; të kesh durim ndaj caktimit të Allahut të cilat shkaktojnë dhimbje si uria, etja, ndjenja e dobësisë në trup dhe në shpirt. Te agjërimi mblidhen të tre llojet e durimit që u përmendën më sipër dhe agjëruesi është siguruar se është nga durimtarët.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

 

إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ

“Durimtarët do të shpërblehen pa masë.” Ez-Zumer, 10

 

Aspekti i tretë: Agjërimi është mburojë. Pra, është mbrojtje dhe pengesë që agjëruesi mos të bjerë në punë të kota dhe fjalë të kota. Për këtë arsye, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Kur të vijë koha e agjërimit, ndonjëri nga ju të mos flasë me fjalë të kota dhe të mos grindet e të armiqësojë.”

 

Po ashtu agjërimi e mbron agjëruesin nga zjarri. Imam Ahmedi transmeton me zinxhir të mirë (hasen) nga Xhabiri – radijAllahu ‘anhu – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi selam – ka thënë:

لصِّيَامُ جُنَّةٌ يَسْتَجِنُّ بِهَا الْعَبْدُ مِنَ النَّارِ

“Agjërimi është mburojë, me të cilin robi mbrohet nga Zjarri.” [4]

 

Aspekti i katërt: Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e parfumit, sepse është nga gjurmët e agjërimit. Kështu, kjo erë është e mirë tek Allahu – i Pastri nga çdo mangësi – dhe është e dashur për Të. Kjo është argument për pozitën madhështore të agjërimit tek Allahu, saqë edhe një gjë e padëshiruar dhe një gjë që konsiderohet e neveritshme te njerëzit, është e dashur te Allahu dhe është e mirë për shkak se ka ardhur si shkak i bindjes ndaj Tij duke agjëruar.

 

Aspekti i pestë: Agjëruesi ka dy gëzime: një gëzim kur çel iftarin dhe një gëzim kur e takon Zotin e tij.

Sa i përket gëzimit në iftar, ai gëzohet me atë që e ka begatuar Allahu, e që është kryerja e adhurimit të agjërimit, i cili është nga veprat më të mira. Sa e sa njerëz janë privuar nga agjërimi dhe kështu nuk kanë agjëruar. Ai, po ashtu, gëzohet me atë që ia ka lejuar Allahu, e që është ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime, të cilat ishin të ndaluara për të gjatë ditës në Ramazan.

 

Sa i përket gëzimit kur e takon Zotin e tij, ai do të gëzohet me agjërimin ku do ta gjejë shpërblimin e plotë tek Allahu i Lartësuar në kohën kur ai do të jetë më se i nevojshëm për këtë dhe kur do të thuhet:

“Ku janë agjëruesit që të hyjnë në Xhennet përmes derës Rejjan, në të cilën nuk futet askush tjetër përveç agjëruesve.” [5]

 

Në këtë hadith ka udhëzime për agjëruesin që nëse e shan dikush apo e armiqëson atë, të mos ia kthejë me të njëjtën ‘monedhë’, në mënyrë që të mos shtohen sharjet dhe armiqësia dhe të tregohet i dobët para tij duke heshtur, por përkundrazi t’i tregojë se ai është agjërues. Kjo është shenjë që ai të mos kundërpërgjigjet me të njëjtën sjellje, si respekt për agjërimin e jo si paaftësi për hakmarrje. Në këtë mënyrë i jep fund sharjeve dhe armiqësisë:

 

وَلَا تَسْتَوِي الْحَسَنَةُ وَلَا السَّيِّئَةُ ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ فَإِذَا الَّذِي بَيْنَكَ وَبَيْنَهُ عَدَاوَةٌ كَأَنَّهُ وَلِيٌّ حَمِيمٌ ﴿٣٤﴾ وَمَا يُلَقَّاهَا إِلَّا الَّذِينَ صَبَرُوا وَمَا يُلَقَّاهَا إِلَّا ذُو حَظٍّ عَظِيمٍ

 “Nuk është e barabartë vepra e mirë dhe vepra e keqe, (të keqen) ktheje me të mirë, se atëherë ai, mes teje dhe atij të cilit ka armiqësi, do të bëhet me ty sikur të ishte një shok i ngushtë. Por nuk i jepet kjo (cilësi) vetëm se durimtarëve dhe nuk u jepet vetëm se atyre që kanë një fat të madh (fatin e lumturinë së kësaj bote dhe botës tjetër).” El-Fusilet, 34-35 

 

Nga vlerat e agjërimit është se ai do të ndërmjetësojë për të Ditën e Gjykimit. Transmetohet nga Abdullah bin ‘Amër – radijAllahu ‘anhu – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

الصِّيامُ والْقُرآنُ يَشْفَعَان للْعبدِ يَوْمَ القِيَامَةِ، يَقُولُ الصيامُ: أي ربِّ مَنَعْتُه الطعامَ والشَّهْوَة فشفِّعْنِي فيه، ويقولُ القرآنُ منعتُه النوم بالليلِ فشَفِّعْنِي فيهِ، قَالَ فَيشْفَعَانِ

 “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: ‘Po o Zoti im! Unë e kam ndaluar atë nga ushqimi dhe epshi, andaj lejo që të ndërmjetësoj për të.’ Kurani do të thotë: ‘E kam ndaluar atë nga gjumi i natës, më mundëso që të ndërmjetësoj për të.’ Kështu ata dy do të ndërmjetësojnë.” [6]

 

O vëllezërit e mi! Vlerat e agjërimit nuk arrihen vetëm se atëherë kur agjëruesi i zbaton etikën e tij. Andaj, përpiquni që ta përsosni agjërimin tuaj dhe të ruheni nga ndalesat e tij. Andaj, pendohuni te Zoti juaj nga lëshimet që bëni gjatë agjërimit.

 

Fundontat:

[1] Buhariu (1904).

[2] Muslimi [1151, 163].

[3] El-Mundhirj në “et-Tergib ue eT-terhib,” (2/7).

[4] Imam Ahmedi (3/396).

[5] Buhariu (1897), Muslimi (1156, 166).

[6] Imam Ahmedi (2/174),

 

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari