Autor: Ahmed Ibën Jahja en-Nexhmij
📚Burimi: Te'sis el-Ahkam 'ala ma sahha 'an Khajril-En'am sherh ehadijth Umdetul-Ahkam, vëll.3/fq.208-209
Agjërimin e ka bërë Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm obligim për robërit e Tij besimtarë në vitin e dytë të hixhretit dhe e bëri atë një prej shtyllave të Islamit.
Agjërimi përmban urtësi të shumta:
1 - Stërvitja e shpirtit që të përmbahet nga ndjekja e epsheve dhe gjërave që ai i do.
2 - Se lënia e ushqimit, pijes dhe kënaqësisë seksuale gjatë kësaj kohe, si adhurim për Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm, ia shton njeriut imanin, si dhe i jep fuqi që të ruhet nga haramet dhe të përmbahet nga ndjekja e epsheve të ndaluara.
3 - Se pakësimi i ushqimit dhe pijes, duke u përmbajtur nga ngrënia dhe pirja gjatë kohës së përcaktuar, e stërvit njeriun që ta ketë gjithmonë ndërmend Zotin e tij, që të ketë frikë nga Ai dhe që ta madhërojë Atë.
4 - Prej urtësive është që njeriu të stërvitet që t'i braktisë epshet edhe pse ato janë prezente dhe të nevojshme për të, duke synuar shpërblimin e Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, e kjo padyshim që do ta forcojë imanin e tij. Këtë gjë e tregon Fjala e Allahut:
لَعَلَّكُمْ تَتَّقُون
"...që ju të bëheni të devotshëm." [el-Bekarah, 183]
5 - Se kur agjëruesi ndjen urinë dhe etjen, ai do të mendojë edhe për ata që nuk kanë çfarë të hanë e të pinë, e kështu ai do të preket dhe do të solidarizohet me ta.
Shkurtimisht, agjërimi përmban urtësi, disa prej të cilave i dinë njerëzit, e të tjera që ata nuk i dinë.
Përktheu: Alban Malaj