Bismilah...

Burimi: Kitabu Sahih et-Tergib ue et-Terhib, Kitabu Sijam 6, minutat 3:13

 

Transmetohet nga Kab bin Uxhrah, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ma sillni minberin." Kështu, ata ia sollën minberin. Kur i hipi në shkallën e parë, tha: “Amin!” Kur hipi në shkallën e dytë, tha: “Amin!” Kur hipi në shkallën e tretë, tha: “Amin!” Kur zbriti nga minberi, ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut, sot dëgjuam diçka prej teje gjë të cilën nuk e kemi dëgjuar më parë.” Ai tha: “M’u shfaq Xhibrili dhe më tha: “Larg qoftë ai njeri që e ka arritur Ramazanin dhe nuk i janë falur mëkatet!” Unë thashë: “Amin!” Kur hipa në shkallën e dytë, Xhibrili tha: “Larg qoftë ai njeriu që kur përmendet emri im, nuk më çon salavate mua!” Unë thashë: “Amin!” Kur hipa në shkallën e tretë, Xhibrili tha: “Larg qoftë ai njeri që i ka dy prindërit të moshuar apo njërin nga ata dhe ata dy nuk e fusin atë në Xhenet.” Unë thashë: “Amin!”

- (4) [صحيح لغيره] وعن كعب بن عُجرة رضي الله عنه قال: قال رسول الله - صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ -:احضُروا المنبر". فحضرنا، فلما ارتقى درجة قال:آمين".فلما ارتقى الدرجة الثانية قال:آمين".فلما ارتقى الدرجة الثالثة قال:آمين". فلما نزل قلنا: يا رسول الله! لقد سمعنا منك اليوم شيئاً ما كنا نسمعه. قال:إنَّ جبريل عرض لي فقال: بَعُدَ من أدرك رمضان، فلم يُغفر له.قلت: (آمين)، فلما رَقِيتُ الثانية قال: بَعُدَ من ذُكرتَ عنده، فلم يصلِّ عليك. فقلت: (آمين)، فلما رقيت الثالثة قال: بَعُدَ من أدرك أبويه الكبرُ عنده أو أحدَهُما، فلم يدخلاه الجنة. قلت: (آمين)

Këtë hadith e transmeton Hakimi dhe ka thënë se zinxhiri i këtij transmetimi është i saktë.

____________________________

Shpjegimi i Shejkh Sulejman Ruhejlit

Gjithashtu këtë hadith e ka transmetuar Bejhakiu në librin “Shu’abul-Iman”.

Ky hadith është i vërtetë me të gjitha rrugët e transmetimit dhe Shejkh Albani, Allahu i Madhëruar e mëshiroftë, e ka shënuar hadithin si “Sahih li gajrihi”.

Hadithi transmetohet nga Kab bin Uxhrah, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ma sillni minberin!”

Të dërguarit të Allahut  i kishin bërë një minber dhe minberi i të Dërguarit ishte me dy shkallë dhe një ndenjëse më lartë për t’u ulur. Pra, minberi kishte tre shkallë: një shkallë në fillim, pastaj një shkallë tjetër, pastaj edhe një shkallë tjetër sipër tyre e cila shërbente si ndenjëse mbi të cilën ulej i Dërguari i Allahut .

Kur Pejgamberi kishte ndonjë çështje të përgjithshme dhe të rëndësishme në raste tjera përveç hutbes së Xhumasë, ai hipte në minber dhe i mësonte njerëzit .

Një ditë, ai u tha Sahabëve të tij: “Ma sillni minberin!” Që do të thotë: Tubohuni para minberit me qëllim që t’u flasë atyre për një çështje të përgjithshme dhe të rëndësishme.

Ai tha: “Kështu, ne ia sollëm minberin. Kur ai hipi në shkallën e parë, tha: ‘Amin’. Kur hipi në shkallën e dytë, tha: ‘Amin!’ Kur hipi në shkallën e tretë, tha: ‘Amin!’

Pejgamberi  hipi në tre shkallët, madje hipi edhe në shkallën e ndenjëses mbi të cilën ulej ai . Me aq sa duket nga kjo, ai fliste në minber duke qëndruar në këmbë mbi shkallën e tretë.

Pika e referimit për këtë hadith është se çdo herë që hipte në një shkallë, thoshte: “Amin!” kur hipi në shkallën e tretë, tha: “Amin!”

“...kur zbriti...” do thotë e mbaroi fjalimin dhe zbriti .

“...Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut, sot dëgjuam diçka prej teje gjë të cilën nuk e kemi dëgjuar më parë.” Do të thotë: kur ti hipe në minber.

Kjo tregon se kur imami hip në minber është Sunet që të mos thotë diçka. Të kundërtën e bëjnë disa imamë në disa vende në këtë kohë, që në çdo shkallë që hipin, bëjnë një dhikër. Kurse në disa vende, unë vet i kam parë se në çdo shkallë që hip imami, muezini e bën një dhikër derisa imami të ngjitet lart në minber. Këto gjëra janë bidate. Kur imami është duke hipur në minber, nuk është e ligjësuar sipas Sheriatit që të thotë ndonjë gjë.

Për këtë arsye, kur Pejgamberi tha: “Amin! Amin! Amin!” Sahabët e pyetën për këtë gjë, sepse kjo ishte në kundërshtim me zakonin e Pejgamberit kur hipte në minber.

Ai tha: “M’u shfaq Xhibrili...” do të thotë: zbriti Xhibrili dhe iu shfaq Pejgamberit gjatë kohës që ishte duke u ngjitur në minber dhe hipi në shkallën e parë. Ai i tha: “Larg qoftë ai njeri që e ka arritur Ramazanin dhe nuk i janë falur mëkatet!”

Fjala “Larg qoftë...” do të thotë: larg mëshirës dhe faljes së Allahut

Fjala “...ai njeri që e ka arritur Ramazanin dhe nuk i janë falur mëkatet!” do të thotë: nuk e ka agjëruar Ramazanin duke patur iman dhe duke shpresuar në shpërblim. Ose ai nuk ka agjëruar fare Ramazanin, ose e ka agjëruar Ramazanin porse nuk ka agjëruar duke patur iman dhe duke shpresuar në shpërblim. Sepse e kemi përmendur më përpara në mesime se ai që e agjëron Ramazanin duke patur iman dhe duke shpresuar në shpërblim, do t’i falen mëkatet që ka bërë më përpara. Për këtë arsye, falja e mëkateve është kushtëzuar që personi të agjërojë  Ramazanin duke patur iman dhe duke shpresuar në shpërblim.

Mundet që personi të ketë agjëruar Ramazanin, porse nuk e ka agjëruar duke patur iman dhe duke shpresuar në shpërblim, si rrjedhojë atij nuk do t’i falen mëkatet. Ai është larguar nga mëshira dhe falja e Allahut. Kjo tregon se njeriu është më afër mëshirës dhe faljës së Allahut kur është me agjërim, nëse ai agjëron duke patur iman dhe duke shpresuar në shpërblim.

Për këtë arsye, ka ardhur fjala “Larg qoftë!” dhe kjo është lutje.

“Larg qoftë!” do të thotë: Allahu e ka larguar atë nga mëshira dhe falja e Tij. Përderisa atij nuk i janë falur mëkatet në Ramazan, është larguar nga mëshira dhe falja e Allahut.

“Unë thashë: “Amin!” që do të thotë: O Allah, përgjigju kësaj lutjeje! Kjo është argument se kjo fjali është thirrmore që përmban lutje.

Kjo fjali mund të jetë edhe dëftore, pra dëfton se ai person është larg mëshirës dhe faljes.

Gjithashtu mund të jetë fjali thirrmore që përmban lutje. Kështu ajo është lutje nga i Dërguari i Allahut, që ai të largohet nga mëshira dhe falja. Madje, kjo është lutje nga Xhibrili alejhi selam për largim nga mëshira dhe falja, dhe gjithashtu është lutje nga i Dërguari i Allahut .

Kështu që, janë bërë bashkë dy lutje: lutja e Xhibrilit alejhi selam dhe lutja e të Dërguarit të Allahut që Allahu ta largojë atë njeri nga mëshira dhe falja e Tij.

Kjo është gjë shumë e rëndë nga e cila kanë frikë zemrat e besimtarëve. Pasha Allahun, zemra e besimtarit dridhet kur e dëgjon këtë hadith dhe ka frikë se mos nuk i falen mëkatet atij. Atëherë, çfarë duhet të bëjë ai? Të kujdeset për agjërimin. Të agjërojë duke patur iman dhe duke shpresuar në shpërblim. Gjithashtu, ta ruajë agjërimin e tij nga gjërat që e prishin atë dhe nga haramet, me qëllim që të shpëtojë nga kjo lutje dhe të triumfojë duke fituar faljen e Allahut, të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit.  

 

Përktheu: Jeton Shasivari

11 Ramadan 1444 h.

2 Prill 2023

Gostivar