Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij

Burimi: http://www.rabee.net/show_fatwa.aspx?id=184

Pyetje: A lejohet të bisedosh me xhinin Musliman?

Përgjigje: Nuk lejohet. Nga e di ti që ai është Musliman? Ai mund të jetë munafik që thotë “Unë jam Musliman”! Mund të jetë qafir e thotë “Unë jam Musliman”! Ti nuk e njeh xhinin dhe ti nuk e di gajbin (të fshehtën). Nuk lejohet, Allahu të bekoftë. Njeriu para teje pretendon Islamin dhe ti e gjykon sipas pamjes së jashtme, e shikon duke u falur para teje, duke bërë këtë e këtë... pastaj ti prapë se prapë nuk e njeh atë. Kurse xhini brenda Muslimanit të thotë ty “Unë jam Musliman.” Ai mund edhe të jetë një i poshtër që të thotë ty “Unë jam Musliman”. Dhe nuk ka asnjë arsye që të detyron ty, prandaj cila është ajo gjë që të detyron ty o vëlla (të flasësh me xhinët)?! Ka spitale të hapura, e nëse i sëmuri bën durim, Allahu - ‘Azze ue Xhel-le - do ta shpërblejë.

Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - i erdhi i verbëri dhe i kërkoi që t’i lutej Allahut që ta shëronte, kurse ai i thotë:

إن شئتَ؛ دعوتُ لك، وإن شئتَ؛ صبرتَ

“Nëse do, unë bëj dua për ty, e nëse do (shpërblimin), bëj durim.”

Atij i erdhi ajo robëresha dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Mua më godet epilepsia. Prandaj lute Allahun për mua.” Ai i tha :

إن شئتِ؛ دعوتُ لكِ، وإن شئتِ؛ صبرتِ، ولكِ الجنة .

“Nëse do, unë bëj dua për ty, e nëse do, bëj durim dhe për ty do të jetë Xheneti.”

Pra, nuk ka asnjë shtrëngim! A mos vallë ti je më i mëshirshëm se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -?!

Allahu i sprovon robërit me sëmundje, i sprovon.

ما مِن شيء يصيب المؤمنَ مِن نَصَبٍ، ولا حزنٍ، ولا وَصَبٍ، حتى الهم يهمه؛ إلا يكفِّرُ الله به عنه سيئاته

“Çdo gjë që e godet Besimtarin, qoftë fatkeqësi, qoftë mërzitje, qoftë sëmundje e qoftë ndonjë brengë që e brengos, Allahu me këtë veçse ia shlyen të këqijat atij.”

Pra, besimtari është i ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe ai shpërblehet nëse duron.

“Andaj përgëzoji durimtarët, ata të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi...” – siç janë këto sëmundje – “...thonë, Inna lil-lahi ue inna ilejhi raxhi’un – të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.” [el-Bekareh, 155-156]

Dhe i Dërguari (‘alejhis-salatu ues-selam) thotë për ata shtatëdhjetë mijë që do të hyjnë në Xhenet:

لا يَسترقون ولا يكتوون، وعلى ربهم يتوكلون

“Ata nuk kërkojnë që t’u bëhet rukje dhe as nuk kërojnë që të kurohen me zjarr (me damkosje), porse i mbështeten Zotit të tyre.”

Pra, nuk kërkon rukje nga askush. Kurse ai që shkon që t’i bëjnë rukje apo gjëra të ngjashme, ai ka mangësi në imanin e tij, ka mangësi në teuekkulin (mbështetjen) e tij tek Allahu ‘Azze ue Xhel. Njoftoje atë dhe thoji: bëj durim, mos kërko rukje, mbështetju Allahut dhe lutju Allahut ‘Azze ue Xhel, ngase rukja është njëfarë lypjeje dhe ajo ndikon në teuekkulin (mbështetjen) tek Allahu ‘Azze ue Xhel. Prandaj ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Ata nuk kërkojnë që t’u bëhet rukje.” Domethënë ata nuk kërkojnë rukje, sepse rukja është lypje që e ul imanin e tij dhe e ul teuekkulin (mbështetjen) e tij.

Pra, besimtari goditet në këtë jetë nga sëmundjet, katastrofat e fatkeqësitë, në mënyrë që Allahu ta ngrejë në gradë të lartë – nëse duron – Allahu u bekoftë.

" إنَّ اللهَ إذا أحَبَّ قومًا ابتلاهم، فمَن صبر؛ فله الصبرُ، ومَن جزع؛ فله الجزع. "

“Me të vërtetë Allahu nëse i do disa njerëz i sprovon ata. Kush duron, durimi do të jetë në favorin e tij, e kush hidhërohet, për të do të jetë hidhërimi.”

Pra, besimtari së pari e ka detyrë që të bëjë durim me Caktimin e Allahut. E nëse ai e ngre veten akoma më lart, deri në gradën që të kënaqet me Caktimin e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le -, atëherë kjo është grada më e lartë në Iman, in shaa Allah.

Pra, durimi është obligim, kurse lëshimi i vetvetes përpara vështirësive është harram, prandaj mos e lësho veten para atyre që ka caktuar Allahu – Subhanehu ue Te’ala -.

قُلْ لَنْ يُصِيبَنا إِلَّا مَا كَتَبَ اللهُ لَنَا

“Thuaj: Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu.” [et-Teubeh, 51]

E nëse Allahu do që ti të mos shërohesh, ty s’të bën dobi rrukja e asgjë tjetër. Çdo gjë është me Dashjen dhe Dëshirën e Allahut – Subhanehu ue Te’ala -. Prandaj Besimtari duhet t’i kërkosh derman Allahut – Subhanehu ue Te’ala -. Ai, së pari, duhet të besojë në Vendimin dhe Caktimin e Allahut dhe të bëjë durim në të, Allahu ju bekoftë. E nëse Allahu i jep sukses atij që të ngjitet deri në gradën e kënaqjes (me Vendimin dhe Caktimin e Allahut), atëherë kjo është diçka që kërkohet (nga Besimtari), Allahu ju bekoftë. E nëse ai do që të kurohet, të marrë kurim apo të kërkojë rrukje, ne nuk themi që kjo është harram, porse kjo është e urryer dhe ia ul gradën atij, Allahu ju bekoftë.

Ama kush e bën rrukjen zanat dhe i hap famën e vetes së tij, madje disa bëjnë lajmërime nëpër gazeta, kurse disa të tjerë hapin zyra, ata janë sharlatanë! UAllahi akuzohet ai që e quan veten e tij rrukjexhi, akuzohet në fenë e tij. Çfarë e shtyu atë që ta bëj këtë gjë?! Ti o vëlla je një Musliman si gjithë Muslimanët e tjerë, si të erdhi ty kjo gjë e veçantë (që të komunikosh me xhinët)? Sa ka më të devotshëm, më të mirë e më të ditur... se ty? Si të erdhi ty kjo gjë e veçantë?!! Pastaj, ti nuk mjaftohesh me rrukjen sheriatike, por fillon e shpik gjëra të tjera!!!

Allahu u dhëntë sukses të gjithëve.

Përktheu: Alban Malaj