Bismilah...

Autor: Shejkh Mukbil Ibn Hadij el-Uadi’ij (rahimehullah)

Burimi: Kurratul-‘Ajn fij Exhuibeti Ka`id el-‘Ulabij ue Saahibil-‘Udejn (fq.57)

Pyetje: Cili është gjykimi i Sheriatit për atë që pretendon se është posedues dhe xhindët janë nën udhëheqjen e tij, dhe se ai i përdor xhinët që të kryejnë nevojat e tij, dhe pretendon se ka dije për gjërat e humbura, e di kush është hajduti, dhe se ai e heq kancerin nga barku pa operacion kirurgjikal?

Përgjigje: Në shumicën e rasteve ata janë dexhalla dhe janë njerëz që i ka mundur Shejtani, sepse Allahu - SubhaneHu ue Te’ala - thotë në Librin e Tij Fisnik:

وَيَوْمَ يَحْشُرُهُمْ جَمِيعًا يَا مَعْشَرَ الْجِنِّ قَدِ اسْتَكْثَرْتُمْ مِنَ الإنْسِ وَقَالَ أَوْلِيَاؤُهُمْ مِنَ الإنْسِ رَبَّنَا اسْتَمْتَعَ بَعْضُنَا بِبَعْضٍ وَبَلَغْنَا أَجَلَنَا الَّذِي أَجَّلْتَ لَنَا قَالَ النَّارُ مَثْوَاكُمْ خَالِدِينَ فِيهَا إِلا مَا شَاءَ اللَّهُ إِنَّ رَبَّكَ حَكِيمٌ عَلِيمٌ (١٢٨)

“Ditën kur Ai do t’i tubojë të gjithë, do të thotë: “O turmë e xhindeve! Ju keni mashtruar shumë njerëz!” - Ithtarët e tyre midis njerëzve do të thonë: “O Zoti ynë! Ne u kënaqëm me njëri - tjetrin dhe arritëm në afatin tonë, të cilin na e pate caktuar Ti”. Allahu do të thotë: “Zjarri është vendbanimi juaj.”” [el-En’am, 128]

Pra, në shumicën e rasteve, ai që është në këtë gjendje është rob i Shejtanit që e drejton atë si të dojë, me qëllim që t’i devijojë njerëzit nëpërmjet tij. Ndërsa njoftimi i tij për disa sende të humbura nuk tregon se ai e di Gajbin, ngase Gajbin nuk e di askush pos Allahut - SubhaneHu ue Te’ala -.

Thotë Allahu - SubhaneHu ue Te’ala -:


وَعِنْدَهُ مَفَاتِحُ الْغَيْبِ لا يَعْلَمُهَا إِلا هُوَ وَيَعْلَمُ مَا فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ

“Ai i ka çelësat e Gajbit dhe askush nuk i njeh ato, pos Atij. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det.”
[el-En’am, 59]

Dhe thotë Allahu - SubhaneHu ue Te’ala -:


عَالِمُ الْغَيْبِ فَلا يُظْهِرُ عَلَى غَيْبِهِ أَحَدًا (٢٦ (إِلا مَنِ ارْتَضَى مِنْ رَسُولٍ فَإِنَّهُ يَسْلُكُ مِنْ بَيْنِ يَدَيْهِ وَمِنْ خَلْفِهِ رَصَدًا (٢٧)

“Vetëm Ai e di Gajbin dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikqyrës (engjëj).” [el-Xhinn, 26-27]

Dhe Ai thotë:


قُلْ لا يَعْلَمُ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَالأرْضِ الْغَيْبَ إِلا اللَّهُ وَمَا يَشْعُرُونَ أَيَّانَ يُبْعَثُونَ (٦٥)

“Thuaj: Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk e di Gajbin dhe as nuk do ta dinë se kur do të ringjallen.” [en-Neml, 65]

Pra, ata dexhallë kamuflohen para njerëzve. Harram i qoftë atij Muslimani që shkon tek ata ose u beson atyre, sepse i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - thotë, siç ka ardhur në Sahihun e Muslimit, nga disa prej Grave të Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -: “Kush shkon tek një fallxhor dhe e pyet për diçka, atij nuk i pranohet namazi për dyzet (40) netë.” apo me këtë kuptim. Pra, harram i qoftë atij Muslimani që shkon tek ata.

Kurse për sa i përket fjalës së tij: se xhindët janë nën urdhërat e tij, Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - kur kapi një ifrit (prej xhindëve) tha: “Sikur të mos kishte qenë lutja e vëllait tim Sulejmanit, do ta kisha lidhur atë që të luanin me të fëmijët e Medines, por e lash për shkak të lutjes së vëllait tim Sulejmanit.” [Suneni en-Nesa'i, 1215]

Pra, fjala e tij që xhindët janë nën urdhërat e tij është fjalë e rrejshme, ngase Sulejmani thotë:


وَهَبْ لِي مُلْكًا لا يَنْبَغِي لأحَدٍ مِنْ بَعْدِي

“...dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje!” [Sa’d, 35]

Kjo çështje është çështje si të fitosh për të jetuar, është çështje e bukës së gojës. Ata duhet të kenë frikë Allahun – SubhaneHu ue Te’ala – dhe të heqin dorë nga mashtrimi i Muslimanëve, ashtu siç e kanë obligim edhe Muslimanët që ta refuzojnë atë, sepse Allahu i Përsosur nga çdo e metë thotë në Librin e Tij fisnik:


وَلْتَكُنْ مِنْكُمْ أُمَّةٌ يَدْعُونَ إِلَى الْخَيْرِ وَيَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ (١٠٤)

“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të këqija! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” [Aali-Imran, 104]

Kurse obligimi i kryetarëve të fiseve dhe obligimi i dijetarëve është që t’i refuzojnë ata njerëz të braktisur, të devijuar e devijues, si dhe t’i ndalojnë ata, sepse disa zyrtarë nuk e kryejnë detyrën e tyre madhështore që ia ka obliguar Allahu - SubhaneHu ue Te’ala -, dhe qeveria është vendosur vetëm se për të përmirësuar gjendjen e Muslimanëve.

Dhe Allahu na qoftë në ndihmë.

Përktheu: Alban Malaj