Shejkh Salih es-Suhejmi
Dua t'ju informoj për një çështje e cila ka të bëj me rukjen, e ajo është marrja e saj për profesion për të nxjerr jetesën (bukën e gojës). Unë besoj se kjo është haram, dhe se kjo nuk është vërtetuar nga Pejgamberi (salAllahu 'alejhi ue selem), për këtë arsye, hapja e klinikave për të bërë rukje është në kundërshtim me Sunetin. Bile kjo është nga bidatet të cilat i kanë shpikur njerëzit.
Po, sa për ty, që t'i bësh rukje vëllait tënd për Hir të Allahut, nuk ka ndonjë të keqe te kjo, edhe në qoftë se të bën ndonjë dhuratë dhe ti dëshiron që t'ia bësh qejfin duke e marr e dhuratën pa mos e tepruar, s'ka gjë të keqe në këtë.
Porse të merret kjo si profesion, dhe të hapet diçka e ngjashme me klinikat apo spitalet dhe të merret për profesion përmes së cilës nxirret jetesa, atëherë kjo përmban shumë rreziqe.
Disa nga ato rreziqe janë:
Kjo nuk është vepruar në kohën e Selefëve, nëse dikush e përdor si argument hadithin e Ebu Seid el-Khudrij (radijAllahu 'anhu) kur ata kërkuan të priten si mysafir nga një fis por ata nuk i mirëpritën, më pas kryetari i këtij fisi ishte kafshuar (nga një gjarpër apo akrep), kështu që, ata filluan që të kërkonin dikë që bën rukje, Ebu Seidi dhe sahabët që ishin me të thanë: “Po, ne do t'i bëjmë rukje atij.” Para kësaj ai tha: “Betohem në Allahun, unë vërtet bëj rukje, porse ju nuk na mirëpritët si mysafir, andaj ne nuk do t'i bëjmë rukje atij përderisa të na jepni ndonjë shpërblim.” Pra, ata u dhanë një tufë dele, kështu që ky i bëri rukje me Suren el-Fatiha.
Pejgamberi (salAllahu 'alejhi ue selem) e aprovoi këtë (që vepruan këta sahab), madje tha:
“Më jepni edhe mua një pjesë.” Ky hadith është i vërtetë, por të argumentuarit me të (për ta marr rukjen si profesion) është i pavërtetë, për shumë arsye:
Arsyeja e parë: Ata kishin arsye përse morën dhuratë, dhe arsyeja ishte se ai (fis) ishin koprrac, kështu që ata u ndëshkuan për shkak të refuzimit të kërkesës së tyre.
Arsyeja e dytë: Ata më pas nuk e morën (rukjen) për profesion.
Arsyeja e tretë: Asnjëri nga sahabët nuk u argumentua me këtë që të hapte klinika për të bërë rukje, në qoftë se ajo do të ishte e lejuar, ata do të na kishin paraprirë neve, dhe ata ishin njerëzit më të zellshëm për të qenë të dobishëm për njerëzit dhe për ta zbatuar sunetin.
Po. Mund t'i bësh rukje vëllait tënd, e sidomos nëse e kërkon një të tillë prej teje, edhe sikur të mos e kërkoj prej teje, porse ke vërejtur se ai ka nevojë për rukje, andaj bëj rukje atij.
“Kush ka mundësi që ta ndihmoj vëllain e tij, le ta ndihmoj.” (Hadith)
Por të merret ajo për profesion, kjo është një çështje e rrezikshme dhe nga rreziqet po ashtu është:
Se kjo mund t'ia humb sinqeritetin atij që bën rukje në lutjet e tija dhe në leximin e rukjes së tij, kështu që e sheh atë (bërësin e rukjes) duke vënë kushte (për të bërë rukje), madje vendos arkë (bamirësie) apo ka të ngjarë të caktoj një punonjës për të mbledhur fonde për atë klinikë. Dhe kjo nuk ka qenë e njohur tek as'habët, e as tek Tabi'inët dhe as tek ata që i ndoqën me besnikëri (në Akiden e tyre).
Po ashtu nga rreziqet e marrjes së rukjes për profesion është:
Se këtë e shfrytëzuan shumë magjistarë dhe gënjeshtarë dhe ata që hanë pasuritë e njerëzve padrejtësisht, kështu që filluan të hapin klinika të rukjes me pretendimin se kjo është “Rukje Sheriatike” kurse fusnin (në këtë rukje) gënjeshtra dhe besëtytni, ndoshta janë fshehur (në sy të njerëzve me lexim) të Kuranit, dhe janë tallur me njerëzit. Për shkak të kësaj janë bërë shumë dëme të cilat nuk numërohen e as llogariten.
Nga dëmet dhe rreziqet të cilat vinë si rrjedhojë e marrjes së rukjes për profesion është se kjo çështje është bërë një gjë e keqpërdorur, saqë edhe disa gra e kanë shfrytëzuar këtë.
Disa që bëjnë rukje i shtuan (metodat e rukjes) me qëllim që të grumbullojnë pasuri, saqë ai u bën rukje një grupi të tërë njerëzish! Kështu që, i përshkon ata dhe i fryn të gjithë përnjëherësh me një frymë të vetme, ja kështu... sillet rreth tyre sikur të jenë tufë delesh! Tamam sikur të jenë tufë delesh!
Kjo në realitet nuk është njohur te Selefët, kurrsesi! Në fakt, e kanë shpikur gënjeshtarët dhe ata që hanë pasuritë e njerëzve me pa të drejtë.
Po ashtu nga rreziqet është se:
Disa njerëz e shfrytëzuan këtë për të shitur ujë në të cilin është bërë rukje apo që është fryrë në të. Saqë për njërin nga ata është thënë se ai lexon rukje në një rezervuar të madh (me ujë), pastaj ua mbushte atyre (njerëzve) kovat! Pra, ndonjërit i jep një, e atij tjetrit dy apo tre dhe kështu ua mbushte dhe e shiste një galon (3.8 litra) për 70 rijal (14 euro).
Imagjinoni sa galon ka një rezervuar! Dhe sa pasuri të padrejtë të cilën e merr me pa të drejtë!
Disa të tjerë morën rrugë tjera e ajo është duke bërë tregti me ullinj, vajin e ullirit, saqë tani e kanë bërë shumë të shtrenjtë për njerëzit! Pra është bërë fitne. Ti i jep atij një milion shishe me vaj ulliri, kurse ai i shet atë me një çmim të dyfishuar me pretendimin se në to është recituar.
Të gjitha këto rreziqe e bëjnë haram marrjen e rukjes për profesion, siç e kanë bërë zakon disa prej tyre. Dijetarët tanë kanë folur shumë për këtë, prej tyre është: Abdul-‘Azijz bin Baz (Allahu e mëshiroftë), Shejkh Albani (Allahu e mëshiroftë) sidoqoftë, kjo çështje është e qartë, nuk ka nevojë për fetva.
Mënyra se si bëhet (rukje) në këtë kohë nuk është sipas Sheriatit; madje unë kam gjetur shishe në disa dyqane (mbi të cilat shkruante), “Kjo është rukje e filanit,” “Kjo është rukje e filanit,” “Rukja e filanit shitet më shtrenjtë se sa rukja e filanit.” Betohem në Allahun, kjo nuk është e ligjësuar (sheriatike).
Nëse thotë dikush: A nuk është kjo më mirë se sa të shkohet tek magjistarët?
Unë nuk e kam ndaluar rukjen, o vëlla i dashur! Muslimani i bën rukje vëllait të tij, ajo që them unë është se kjo i shtyri magjistarët, kjo i inkurajoi që të bëjnë lojëra dhe të hanë pasuritë e njerëzve padrejtësisht, kurse këta që bëjnë rukje kam frikë për ta se do ta kthejnë çështjen e tyre në magji, gënjeshtër, marrëzi dhe ngrënie të pasurisë së njerëzve me pa të drejtë.
Andaj, duhet t'i kemi parasysh këto gjëra në (bërjen) e rukjes.
Përktheu: Jeton Shasivari