Autor: Shejkh Muhammed Ibën Salih el-‘Uthejmin (rahimehullah)
Burimi: Sherh Akijdetil-Uasitijeh (1/53-54)
“Për shembull, Esharitë dhe Maturiditë nuk konsiderohen prej Ehli Sunetit dhe Xhematit në këtë temë (në temën e Emrave dhe Cilësive të Allahut); sepse ata janë në kundërshtim me rrugën në të cilën ishte Pejgamberi - sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe Shokët e tij në lidhje me pranimin e Cilësive të Allahut - Subhanehu ue Te’ala - me kuptimin e tyre të vërtetë.
Për këtë arsye, ka gabuar kushdo që thotë se Ehli Suneti janë tri grupe: Selefijunët, Esharitë dhe Maturiditë, sepse kjo është gabim. Ne themi: si mund të jenë të gjithë Ehli Suneh kur ata kundërshtohen ndërmjet veti? Çfarë ka tjetër pas të vërtetës përveç devijimit? Si mund të jenë që të gjithë Ehli Suneh, ndërkohë që ata refuzojnë njëri-tjetrin?! Kjo është e pamundur, përveç nëse është e mundur që bashkohen dy të kundërtat, në këtë rast po. Përndryshe, nuk ka dyshim se vetëm njëri prej tyre është njeri i Sunetit. Por kush prej tyre? Esharizmi? Apo Maturidizmi? Apo Selefizmi?
Ne themi: kush pajtohet me Sunetin është njeri i Sunetit, ndërsa kush nuk pajtohet me Sunetin nuk është njeri i Sunetit. Kështu që, ne themi: Selefët janë Ehli Suneti dhe Xhemati dhe nuk përputhet ky cilësim me grupet e tjera pos Selefëve, kurrë. Dhe fjalët merren në konsideratë sipas kuptimeve që ato mbartin. Kështu që, si mund t’i quajmë Ehli Suneh ata të cilët e kundërshtojnë Sunetin?! Kjo është e pamundur! Si mund të themi për tri që kundërshtohen mes veti se ata janë të bashkuar?! Ku është bashkimi? Kështu që, Ehli Suneti dhe Xhemati janë Selefët me besimin e tyre, madje edhe ai që vjen më vonë, deri në Ditën e Kijametit, nëqoftëse është në rrugën e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe të Shokëve të tij, dhe ky është Selefij.”
Përktheu Alban Malaj