Autor: Muhamed bin Umer bin Salim Bazmul
Burimi: Ligjëratë me titull “Khataru et-tendhimaat el-Irhabijeh ‘ala el-ferd ue el-muxhtem’a” (Rreziku i organizatave terroriste ndaj individit dhe shoqërisë), min. 25:10
Madje këto xhemate (grupacione) në kohën e sotme, janë mjet që shfrytëzohen për të realizuar planet e armiqve të Islamit kundër shteteve Islame. Ajo që më së shumti i tremb armiqtë e Islamit sot është: rizgjimi dhe rimëkëmbja e Muslimanëve; që Muslimanët të rikthehen ashtu siç kanë qenë në fillim. Armiqtë e Islamit e dinë shumë mirë se ata nuk do të përballen dot me këtë rizgjim, nëse ai ndodh. Ata duan që njeriu Musliman të vazhdojë të pushojë dhe të flejë, nuk duan që ai të zgjohet. Atëherë, me çfarë do ta angazhojnë atë? Ata do ta angazhojnë atë me këto zënka dhe konflikte.
Prandaj u shfaqën këto xhemate, dhe armiqtë e Islamit kanë dorë në themelimin e këtyre xhemateve. Dije se xhematet hizbije bashkëkohore, siç janë xhemati el-Ikhuan el-Muslimin (sekti “Vëllazëria Muslimane”) që është themeluar në vitin 1928, në themelimin e këtij sekti kishte dorë kolonializmi Anglez dhe kishte dorë edhe ambasada Amerikane, në themelimin e sektit të Ikhuanëve dhe në financimin e tyre.
Përse i financojnë me para? Përse pajtohen dhe bëjnë komplote bashkë me ta? Sepse ata e kanë parë që ky xhemat planifikon ose punon që të realizojë pikësynimin e tyre dhe pikësynimet e këtij xhemati (Ikhuanëve) të devijuar nga rruga e drejtë. Për këtë arsye, armiqtë e Islamit i financojnë ata për hir të këtyre pikësynimeve të përbashkëta. Po ashtu, dihet që xhemati el-Ikhuan el-Muslimin janë mitra nga e cila kanë dalë sot të gjitha grupet dhe organizatat terroriste të cilat bëjnë tekfir (i shpallin Muslimanët pabesimtarë), siç janë: Al-Kaida, (Xhebhetu) Nusra dhe ISIS-i.
Sa i përket ISIS-it, a ju kujtohet ajo fotoja e një anëtari të ISIS-it që pozonte me një libër të themeluesit të Ikhuanul-Musliminëve, mes tyre Sejid Kutubi dhe të tjerët, për të treguar me këtë foto se ky është xhemati ynë dhe këtu bazohemi ne.
Kush nuk i ka lexuar artikujt dhe kujtimet që i ka shkruar Ejmen Dhauahirij, i cili ishte një nga drejtuesit e Al-Kaidës, dhe aty ai tregon duke thënë se: “Kjo që po zbatojmë ne është plani që kishte Sejid Kutubi dhe xhemati el-Ikhuan el-Muslimin” etj. etj.
Këto janë grupe terroriste dhe organizata terroriste të cilat po e çojnë Umetin Islam në gjëra, të cilat pajtohen dhe puqen me komplotet e kolonializmit, me komplotet dhe planet e armiqve të Islamit dhe Umetit. Prandaj armiqtë e fesë i furnizojnë ata me armë, i financojnë dhe i mbulojnë.
Një analist politik thotë: “Tani u shpërbë grupi i ashtuquajtur “Al-Kaida” dhe nxorën në shesh ISIS-in. Pse e bënë këtë gjë? Sepse pas një kohë të caktuar, do të kërkohet gjykim dhe kërkesë ndërkombëtare kundër Al-Kaidës, nëse vazhdon me këtë emër, si dhe do të ketë për të hetim ndërkombëtar. Për këtë arsye, ata i ndërruan emrin dhe erdhën me një emër tjetër, të ri. Pas një periudhe, edhe këtë emër do ta ndërrojnë. Kështu kanë për të vazhduar ata, me të njëjtën metodë dhe të njëjtat objektiva, duke u bazuar në parimet e tyre, me qëllim që t’i angazhojnë Muslimanët me trazira dhe që t’i shpartallojnë.”
M’u kujtua tani një ndodhi. Dikur, ndaloi treni në një stacion dhe hipi në të një bujk që me vete mbante një trastë. Bujku e vendosi trastën afër këmbëve dhe me vete mbante një shkop. Njëri që ishte ulur në krah të bujkut që mbante këtë trastë, pa se çdoherë që lëvizte diçka brenda në trastë, bujku e godiste me shkop, kështu ajo që ishte brenda nuk lëvizte më. Me sa dukej, kishte kafshë brenda në trastë. Pas pak kohe ajo prapë lëvizte, e bujku përsëri e godiste. Ky njeri i tha bujkut: “Përse e bën këtë gjë?! Çfarë ka aty?!” Bujku tha: “Në trastë kam minj, dua t’i dërgoj në një laborator që gjendet në qytet; atyre ju duhen këta minj dhe unë ua shes.” Ai i tha: “Në rregull, po pse i godet çdo herë që ata lëvizin?” Bujku i tha: “Këta po lëvizën, e grisin trastën dhe dalin. Unë nuk dua që të dalin, kohë pas kohe i godas!” Dije se kjo situate është e njëjta politikë të cilën po e përdorin fuqitë kolonialiste në vendet tona Islame. Ata nuk duan që ne të lëvizim dhe të ringrihemi.
Pasha Allahun, kjo që do të them tani nuk është mburrje, që ndoshta mund ta besoni apo jo! Mendjet më të ndritura janë mendjet tona, mendjet e Muslimanëve dhe të rinjve tanë. Kultura më e mirë është kultura jonë; parimet tona nuk janë si parimet e tyre; morali ynë nuk është si morali i tyre, ummeti (populli) më i mirë në këtë kohë që mendohet se mund ta udhëheqë botën është ummeti Musliman. Kjo që po them nuk është mburrje.
Madje, po u them edhe diçka: a keni dëgjuar se kanë edhe diçka ata që e quajnë “Islamofobia”. A e keni dëgjuar këtë nga njerëzit e Perëndimit? Amerika dhe Perëndimi që e kanë menduar këtë emërtim, kanë sajuar diçka për ta justifikuar këtë emërtim. Cili është ky shkak?
E para: shkaku kryesor o ju të rinj është se Ummeti Islam, në botën Islame, është popull i ri në moshë, nga Umeti Islam 70 % apo 75 % janë të rinj. Nga ana tjetër, shtetet e perëndimit siç është Evropa dhe Amerika, 80 % prej tyre janë pleq dhe 20 % janë të rinj. Ne jemi popull rinor.
E dyta: përveç qe jemi popull rinor, ne jemi edhe popull i madh në numër. Ma shaa Allah! Përqindja e lindjeve në ummetin Islam – ma shaa Allah – është më e larta. Kurse sipas përqindjes së lindjeve në Perëndim, ata po shkojnë drejt fundit dhe shfarosjes; ata nuk shtohen. Thuhet se përqindja e kërkuar e lindjeve (për të mbijetuar një popull) është 1.5 ose 2.0 për qind, kurse shtimi i popullsisë tek ata është më pak se 1.5 për qind, ndoshta është 1.0 për qind.
Të gjitha elementet bazë për udhëheqjen dhe drejtimin e botës gjenden te ne. Kolonialistët vazhdojnë të thurin komplote dhe konspiracione tani në këtë kohë, por Allahu nuk e pranon atë që bëjnë ata, dhe Ai vetëm se do ta plotësojë Dritën e Tij. I Dërguari – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, në periudhën kur ishte në Mekke, ishte shtrirë anash nën hijen e Kabes, e me këtë rast erdhën disa Muslimanë nga Sahabët e i thanë: “O i Dërguari i Allahut, a nuk po sheh dëmin dhe torturat që po na bëjnë Kurejshët?” Ata kishin për qëllim me këtë fjalë: na urdhëro të bëjmë Xhihad! Na urdhëro të luftojmë? I Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – siç ishte i shtrirë në krah, u ngrit dhe qëndroi ulur, dhe më këtë rast tha: “Popujt që ishin para jush, e merrnin besimtarin dhe ia vendosnin sharën mbi kokën e tij, me qëllim që ta detyronin ta lërë fenë e tij, por ai nuk e linte fenë, derisa vritej. Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, padyshim që kjo fe do të arrijë atje ku arrin dita dhe nata, porse ju po nguteni!”
Dije se Feja jonë do të përhapet, pavarësisht se ata nuk duan. Pavarësisht të gjitha kurtheve dhe komploteve që thurin ata, kjo Fe do të përhapet. A nuk ka thënë i Dërguari: “Sa herë që shfaqet ndonjë grupi prej Khauarixhëve, ata do të vriten.” Kështu pra, këto organizata terroriste sa herë që do të shfaqen – me lejen e Allahut – do të vriten, derisa i fundit prej këtyre që do të shfaqet (prej Khauarixhëve) do të shkojë me Dexhallin. Muslimanët me lejen e Allahut kanë për t’u zgjuar.
Gjendja jonë në këtë kohë është se ne duhet patjetër të paralajmërojmë kundër këtyre organizatave terroriste – dhe kjo është tematika e fundit që po shtjelloj – dhe ta sqarojmë rrezikun e këtyre organizatave, në mënyrë që njerëzit të mos ndikohen nga ato; të kenë kujdes nga ata dhe nga çdokush që mundohet të ndikojë tek ata dhe t’i fusë në sherrin e këtyre organizatave terroriste.
Përktheu: Jeton Shasivari