Bismilah...

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/13814

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit.

Të gjitha lavdet janë për Allahun, lavdërimi dhe bekimi qoftë mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe Shokët e tij.

E më pas:

Vërtet, Allahu i ka krijuar krijesat që ta adhurojnë Atë. Ka thënë i Lartësuari:


وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالإِنسَ إِلاَّ لِيَعْبُدُونِ

"Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit përveç se që të më adhurojnë Mua." [Edh-Dharijat, 56]

Dhe Allahu nuk adhurohet me gjë tjetër përveç se me atë që ka e ka bërë të ligjshme Ai, dhe Ai dërgoi të dërguarit e Tij që t'i sqarojë njerëzit Ligjin që u zbriti njerëzve, sepse adhurimi i Allahut kur nuk është sipas Ligjit të Allahut është i kotë. Dhe Ai e përfundoi dërgimin e e të dërguarve me të Dërguarin e Tij, Muhamedin – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe e bëri obligim për të gjithë njerëzit që ta pasojnë atë. Ka thënë i Lartësuari:

قُلْ يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ اللَّـهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعً

"Thuaj: O ju njerëz, padyshim që unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju." [El-A'raf, 158]

Kështu që, kush nuk beson në Muhamedin është qafir (mosbesimtar), dhe Feja e Muhamedit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – është Islami dhe Allahu nuk pranon asnjë fe tjetër pos saj. Ka thënë i Lartësuari:


وَمَنْ يَبْتَغِ غَيْرَ الإِسْلامِ دِيناً فَلَنْ يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الآخِرَةِ مِنْ الْخَاسِرِينَ

"Dhe kush kërkon fe tjetër pos Islamit, ajo kurrë s'do t'i pranohet dhe ai do të jetë Ditën e Kijametit prej të humburve." [Aali-‘Imran, 85]

Dhe Islami me të cilin erdhi Muhamedi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – i ka pesë shtylla: shehadeti (dëshmia) "La ilahe il-lAllah, Muhammedun Rasulullah" [S'ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut], falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramadanit dhe Haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut nëse ka mundësi.

Çfarë duhet të bëjë ai që do të hyjë në Islam:

Ai duhet të shqiptojë dy dëshmitë, pastaj vazhdon me shtyllet e Islamit, si më poshtë:

1 – Të thotë: "Esh-hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh-hedu enne Muhammeden Rasulullah" [Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me drejtë përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut], duke e shqiptuar atë haptazi.

2 – Të falë pesë namazet: sabahu, dreka, ikindia, akshami dhe jacia, në çdo ditë e natë, gjatë gjithë jetës. Sabahu ka dy rekate, dreka ka katër rekate, ikindia ka katër rekate, akshami ka tre rekate dhe jacia ka katër rekate. Ai nuk mund të falet vetëm se, pasi që ka marrë avdes. Dhe avdesi merret duke larë të gjithë fytyrën, duke larë të dyja duart megjithë bërrylat, të fshijë kokën (me të dyja duart e njoma me ujë) dhe të lajë të dyja këmbët gjer tek kyçet, me ujë të pastër.

3 – Nëse ai ka pasuri të mjaftueshme, që kalon përtej nevojës së tij, ai duhet të nxjerrë prej saj çerekun e një të dhjetës (2.5%), që është zekati për fukarenjtë dhe nevojtarët, çdo vit. E nëse pasuria e tij nuk kalon përtej nevojës së tij, atëherë ai nuk e ka detyrë zekatin.

4 – Të agjërojë muajin e Ramadanit, i cili është muaji i nëntë nga viti i Hixhretit, (duke lënë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet seksuale me gruan e tij, nga lindja e diellit e gjer në perëndimin e diellit), si dhe han e pin dhe kryen marrëdhënie me gruan e tij vetëm gjatë natës.

5 – Nëse ka mundësi financiare dhe mundësi fizike, ai duhet të bëjë haxhin në Shtëpinë e Allahut (në Mekkeh), një herë të vetme në jetën e tij. E nëse ka mundësi financiare porse nuk ka mundësi fizike për shkak të moshës së tij të thyer apo për shkak të sëmundjes së tij kronike, atëherë ai ngarkon dikë që ta bëjë haxhin për të, një herë të vetme.

6 – Pjesa tjetër që mbetet nga veprat e mira janë plotësuese për këto shtylla.

Çfarë ka detyrë që të braktisë Muslimani:

1 – Të braktisë shirkun me të gjitha llojet e tij. Dhe ai është adhurimi i të tjerëve në vend të Allahut, ku hyn lutja drejtuar të vdekurve, therja e kurbanit për ta dhe zotimi në të vdekurit.

2 – Të braktisë bidatet, që janë adhurime të cilat nuk i ka bërë të ligjshme i Dërguari i Allahut, Muhamedi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, për arsye se ai – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka thënë:


"من عمل عملًا ليس عليه أمرنا فهو رد"

"Kush bën një vepër të cilën ne nuk e kemi urdhëruar, ajo është e refuzuar." Që do të thotë se ajo nuk pranohet.

3 – Të braktisë kamatën, kumarin, rryshfetin, gënjeshtrën në marrëdhënie (me njerëzit) si dhe shitjen e pajisjeve dhe mallrave që janë harram (të ndaluara me Sheriat).

4 – Të braktisë zinanë, që është marrëdhënia seksuale me gra të tjera në vend gruas së tij të ligjshme, si dhe të braktisë homoseksualizmin, që janë marrëdhëniet me gjininë e njëjtë.

5 – Të braktisë pirjen e alkoolit, ngrënien e mishit të derrit, ato që nuk janë therur me Emrin e Allahut dhe ngordhësirat.

6 – Të braktisë martesën me qafiret (mosbesimtaret), me përjashtim të atyre që janë prej Ehli-Kitabëve (d.m.th. Çifutet dhe të Krishteret).

7 – Të ndahet nga gruaja e tij qafire, e cila nuk është prej Ehli-Kitabëve, përveç nëse ajo bëhet Muslimane bashkë me të, ose gjatë kohës kur pret t'i mbarojë cikli prej tre menstruacionesh, pasi që është divorcuar.

8 – Nëse nuk e dëmton bërja synet, atëherë të bëhet synet tek doktori Musliman.

9 – Nëse ka mundësi që të shpërngulet nga vendi i qafirave për në vendin e Islamit, ai duhet të shpërngulet, e nëse nuk ka mundësi, atëherë qëndron në vendin e tij duke u kapur fort mbas Fesë së tij.

Shkroi: Salih Ibën Feuzan el-Feuzan

Anëtar i Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj

19/3/1433 Hixhrij

Përktheu: Alban Malaj