Bismilah...

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Pyetje: Si të bëjmë bashkim midis hadithit të Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –: “Kush thotë La ilahe il-la Allah (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut) do të hyjë në Xhennet” dhe hadithit të Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –: “Do të ndahet Umeti im në 73 grupe, që të gjitha do të jenë në Zjarr, përveç njërit…”?

Përgjigje: Po! Nuk ka përplasje midis dy haditheve. “Kush thotë La ilahe il-la Allah…” me këtë hadith nuk është për qëllim thjesht thënia La ilahe il-lAllah me gjuhë, por kush e thotë atë sinqerisht për Allahun e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar dhe mohon çfarëdo që adhurohet përveç Allahut, kjo lidhet me hadithet e tjera: “Kush thotë La ilahe il-la Allah dhe mohon çdo gjë që adhurohet perveç Allahut, Allahu ia ka ndaluar Zjarrin atij”. Gjithashtu hadithi tjetër: “Kush thotë La ilahe il-la Allah me sinqeritet nga zemra e tij...” siç është hadithi. Ky është njëri këndvështrim.

Ndërsa këndvështrimi i dytë është se hadithi: “Do të ndahet Umeti im në 73 grupe, që të gjitha do të jenë në Zjarr, përveç njërit.” Nuk është për qëllim me këtë hadith se të gjitha këto 72 grupet janë mosbesimtarë.  Ata nuk janë të gjithë mosbesimtarë. Edhe nëse kanë kundërshtime ndaj sheriatit, ata mund të hyjnë në zjarr ngaqë janë kërcënuar për dënimin e tyre, e më pas do të nxirren prej tij. Ata do të hyjnë në Zjarr në varësi të krimeve të tyre, kundërshtimeve të tyre, e nuk do mbeten në të përgjithmonë. Pjesa e hadithit “…do të hyjë në Xhennet” nuk do të thotë se patjetër ai do të hyjë në Xhenet që në fillim, por mund të vonojë hyrja e tij, edhe nëse thotë “La ilahe il-la Allah”. Mund të vonohet hyrja e tij në Xhenet dhe të dënohet në Zjarr, siç është e ditur që gjynahqarët që janë me Teuhid, ose i fal Allahu ose i dënon sipas gjynaheve që kanë bërë. Kështu që, nuk ka përplasje midis dy haditheve, lavdi Allahut.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org