Burimi: Kitabu el-Iman el-Eusat, fq. 556-558
Është e pamundur që njeriu të jetë besimtar me iman të qëndrueshëm në zemrën e tij duke e ditur se Allahu ia ka bërë obligim namazin, zekatin, agjërimin dhe haxhin, kurse ai gjatë jetës që tij nuk i ka bërë Allahut as edhe një sexhde, nuk ka agjëruar një ditë të vetme të Ramazanit, as që e ka dhënë ndonjëherë zekatin, as që e ka bërë haxhin në Shtëpinë e Tij. Kjo është e pamundur dhe kjo nuk ndodh vetëm se për shkak të nifakut në zemër, e jo për shkak të imanit të saktë.
Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na tregon se pabesimtarët (në Ditën e Gjykimit), nuk do të mund të bëjnë sexhde, siç është fjala e Tij:
يَوْمَ يُكْشَفُ عَنْ سَاقٍ وَيُدْعَوْنَ إِلَى السُّجُودِ فَلَا يَسْتَطِيعُونَ خَاشِعَةً أَبْصَارُهُمْ تَرْهَقُهُمْ ذِلَّةٌ وَقَدْ كَانُوا يُدْعَوْنَ إِلَى السُّجُودِ وَهُمْ سَالِمُونَ
“Atë ditë kur do t’u shfaqen shumë ngjarje të frikshme, dhe ata (pabesimtarët) do të thirren që të përulen në sexhde, por nuk do të munden. Shikimet e tyre do të jënë të përulura dhe ata do t’i mbulojë poshtërimi, sepse ata thirreshin të përuleshin në sexhde kur ishin të shëndoshë (në dunja).” El-Kalem, 42-43
Ka ardhur një hadith i saktë në Dy Sahihat dhe në tjerë, nga hadithi i Ebu Hurejras, Ebu Seidit dhe të tjerëve, i cili është hadith i gjatë që tregon kur Allahu do t’u shfaqet krijesave: “Kur i Lartësuari t’u shfaqet robërve të Tij në Ditën e Kijametit, do t’i bëjnë sexhde Atij besimtarët kurse ata që kanë bërë sexhde me syefaqësi dhe për famë kur ishin në dunja, boshti i tyre kurrizor do të shndërrohet në një asht të fortë që nuk lakohet. Kështu ata nuk do të mund të bëjnë sexhde.” [1]
Përderisa kjo do të jetë gjendja e atyre që kanë bërë sexhde nga syefaqësia, atëherë si është puna me atë që nuk ka bërë sexhde kurrë në jetën e tij?!
Ka ardhur hadith autentik që thotë: “Zjarri e ha çdo pjesë nga trupi i birit të Ademit, përveç pjesëve me të cilat ai ka bërë sexhde. Allahu ia ka bërë haram Zjarrit që t’i hajë këto pjesë.” [2] Nga kjo mësohet se atë që nuk i ka bërë Allahut sexhde, Zjarri ka për ta ngrënë fund e krye.
___________
Transmeton Bukhariu (7440).
Transmeton Bukhariu (6574).
Përktheu: Jeton Shasivari