Bismilah...

💠 Pyetje: Allahu ju shpërbleftë! Kjo është pyetja e 12-të: Ka disa hadithe me të cilat argumentohen disa  njerëz se ai që i lë të gjitha veprat, është besimtar me iman të mangët, siç është hadithi “Nuk kanë bërë asnjë të mirë!” si dhe hadithi i kartës. Me çfarë t’u përgjigjemi këtyre, Allahu ju ruajttë!?

💠 Përgjigje: Kjo futet tek argumentimi me gjërat e paqarta. Kjo është metoda e njerëzve të devijimit, për të cilët Allahu, i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari, ka thënë:

فَأَمَّا الَّذِينَ فِي قُلُوبِهِمْ زَيْغٌ فَيَتَّبِعُونَ مَا تَشَابَهَ مِنْهُ

“E ata që kanë devijim në zemër, ndjekin atë që është e paqartë në të (Kuran).” Al-Imran, 7

Kështu, ata i marrin argumentet që janë të paqarta duke i braktisur argumentet e qarta të cilat i shpjegojnë dhe i qartësojnë të paqartat. Andaj, duhet patjetër që gjërat e paqarta t’i kthejmë te të qartat. Ne themi: Ai që i lë veprat duke patur një justifikim sheriatik dhe nuk ka mundësi të bëjë vepra deri në vdekje, atëherë ky është i justifikuar dhe për të vlejnë këto hadithe.

Ose një person i ka shqiptuar Dy Dëshmitë duke u besuar atyre dhe duke qenë i sinqertë me Allahun, e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar, pastaj vdes duke qenë në këtë gjendje apo se nuk ka patur mundësi të bëjë vepra, porse i ka shqiptuar Dy Dëshmitë, duke ia bashkuar kësaj edhe sinqeritetin dhe teuhidin për Allahun, siç ka thënë ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

من قال لا إله إلا الله وكفر بما يُعبد من دون الله فقد حرم دمه وماله

“Ai që thotë ‘la ilahe il-lAllah’ dhe mohon çdo që adhurohet përveç Allahut, atëherë gjaku dhe pasuria e tij janë të mbrojtura.”

Po ashtu ka thënë:

فإن الله حرم على النار من قال لا إله إلا الله يبتغي بذلك وجه الله

“Allahu ia ka ndaluar Zjarrit atë që thotë ‘la ilahe il-lAllah’ duke synuar me këtë Fytyrën e Allahut.”

Pra, ky person nuk ka patur mundësi të bëjë vepra, edhe pse ai i shqiptoi Dy Dëshmitë, u besoi domethënieve të tyre dhe ishte i sinqertë me Allahun, e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar, porse nuk ka patur mundësi për të bërë vepra derisa ka vdekur. Ky është ai që do të hyjë në Xhenet për shkak të këtyre Dy Dëshmive dhe mbi këtë person zbatohen hadithi i Kartës dhe hadithe të tjera që kanë ardhur me kuptim të ngjashëm.

Ata që do të nxirren nga Zjarri të cilët nuk kanë bërë kurrfarë të mire, do të nxirren sepse nuk kanë patur mundësi të bëjnë vepra, por ata i kanë shqiptuar Dy Dëshmitë dhe hyrën në Islam. Kështu bëhet bashkimi midis haditheve.

 

Përktheu: Jeton Shasivari