Autor: Komisioni i Përhershëm i Fetvave
Burimi: Fetaua el-Lexhneti ed-Daimeh, vëll. 2/fq. 102-104
Pyetje: Janë disa fjalë që përdoren në shoqëritë islame, për të dalluar rrugën që ndjekin këto shoqëri, sipas mësimeve islame, siç është fjala e tyre “Duke ecur sipas zakoneve dhe traditave islame, ne kemi ndërmarrë këtë gjë…” Dhe duke patur parasysh që ka mospajtim tek disa prej dijetarëve bashkëkohorë për lejimin e përdorimit të këtyre fjalëve; një grup janë të mendimin se ato janë të ndaluara që të përdoren, sepse Islami është ndryshe nga zakonet dhe traditat dhe ai i ndryshon ato. Ata u thelluan më tej në refuzimin e tyre, saqë disa prej tyre thanë se këto fjalë janë futur nga ana e armiqve të Islamit. Ndërsa një grup tjetër është i mendimit se nuk ka ndonjë gjë të keqe në përdorimin e tyre, sepse kjo tregon për nënshtrimin dhe dorëzimin e Muslimanit në urdhrat e Zotit të Tij të Plotëfuqishëm e të Lartësuar, si dhe në urdhrat e të Dërguarit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, si dhe duke mos marrë në konsideratë asnjë urdhër tjetër. Dhe ky është qëllimi i adhurimit, sipas traditës që është përkufizuar nga dijetarët nëpër librat e dijes, për shkak të këtij mospajtimi. Shpresoj që të jepni sqarim për paqartësitë e kësaj fjale, pastaj të jepni gjykimin për përdorimin e kësaj fjale, a lejohet apo jo, me argumentet përkatëse?
Përgjigje: Në të vërtetë Islami nuk është zakone dhe tradita, porse është shpallje që Allahu ia zbriti të Dërguarve të Tij dhe Ai u zbriti atyre Librat e Tij. Muslimanët nëse e zbatojnë Islamin dhe veprojnë sipas tij, ai do të bëhet moral dhe nevojë për ta. Dhe çdo Musliman e di që Islami nuk është sistem i përftuar nga zakonet dhe traditat, dhe është e domosdoshme që ata të kenë dije për besimin e tij në Allahun, në të Dërguarit e Tij dhe në krejt parimet themelore të Sheriatit Islamik. Mirëpo tek ata zunë vend fjalët që përsëriten vazhdimisht nëpër radio, gazeta dhe revista, dhe i përdorën ato nëpër organizime dhe kalendare, siç ishte edhe shprehja që u përmend në pyetje, “Duke ecur sipas zakoneve dhe traditave islame…” Pra, ata e përdorën me nijetin e mirë, duke dashur me të nënshtrimin ndaj fesë Islame dhe dispozitave të saj, dhe ky është qëllim i saktë, për të cilin ata lavdërohen, vetëm se ata duhet të jenë të kujdesshëm në fjalët që përdorin për të shprehur qëllimin e tyre, duhet që të zgjedhin fjalë që mbartin kuptime të qarta për të shprehur qëllimin e tyre, e jo fjalë që mbartin kuptimin që: “Islami përbëhet nga zakone dhe tradita dhe ne i ndjekim ato ose i kemi trashëguar nga të parët tanë Muslimanë.” Por të thuhet, për shembull: “Duke ecur sipas Sheriatit Islamik dhe dispozitave të tij të drejta…” në vend të kësaj fjale, e cila po përdoret gjerësisht nga shumë veta për të nxjerrë në pah rrugën që ndjekin shoqëritë Muslimane… etj., dhe nuk mjafton për Muslimanin vetëm nijeti i mirë, por duhet edhe që të përdorë fjalë të sakta dhe të qarta. Kështu që, Muslimani nuk duhet të përdorë këtë shprehje dhe të tjera shprehje të ngjashme, të cilat mbartin kuptim të gabuar, që ligji Islamik është i përbërë nga zakone dhe tradita. Nijeti i mirë nuk ia heq përgjegjësinë Muslimanit nga përdorimi i fjalëve që mbartin të tilla kuptime, siç është kjo shprehje gabuar, përderisa ai ka mundësi që të përdorë fjalë të tjera dhe ta ruajë gjuhën e tij dhe të qëndrojë larg kritikave dhe pasaktësisë.
Dhe suksesi është vetëm nga Allahu.
Lavdërimet dhe paqja qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe Shokët e tij.
Komisioni i Përhershëm për Hulumtime Akademike dhe Fetva:
Zëvendës-kryetar: Abdurr-Rrazak ‘Afijfij
Anëtar: ‘Abdullah Ibën Gudejjan
Anëtar: ‘Abdullah Ibën Munij’
Përktheu: Alban Malaj