Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz ibën Baz (1420 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 32/fq. 345-350

 

 

Pyetje: Një pyetës Musliman nga Qiproja thotë: “Çfarë detyre ka Muslimani karshi jomuslimanëve, qoftë ai dhimmij [1] që jeton në vendet e Muslimanëve apo në vendin e tij dhe Muslimani që jeton në vendin e jomuslimanëve. Me fjalën “detyrë” kam për qëllim sqarimin e të gjitha llojeve të marrëdhënieve dhe sjelljes që duhet të kem me ta, duke filluar nga përshëndetja e tyre me selam dhe përfundimi duke festuar me jomuslimanin në festat e tij. A lejohet që ta bëj atë vetëm shok pune? Na mundësoni të përfitojmë, Allahu ju shpërbleftë.

 

Përgjigje: Detyrat e Muslimanit karshi jomuslimanëve janë të shumta, disa prej tyre janë:

E para: thirrja për tek Allahu – i Plotfuqishëm e i Lartësuar. Pra, ta thërrasë jomuslimanin për tek Allahu – t’ia sqarojë realitetin e Islamit nëse i jepet mundësia dhe ka dituri rreth Islamit –, ngaqë kjo është mirësia më e madhe që mund t’ia dhurojë bashkëqytetarit të tij si dhe atyre që jeton bashkë me ta, qofshin Jehudë, të Krishterë dhe mushrikë, ngase Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – ka thënë:

مَنْ دَلَّ عَلَى خَيْرٍ, فَلَهُ مِثْلُ أَجْرِ فَاعِلِهِ

“Ai që udhëzon drejt një vepre të mirë, e ka shpërblimin njësoj si të atij që ka punuar me atë vepër të mirë.” [2]

Po ashtu edhe fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lelm – që i tha Aliut – radijAllahu ‘anhu – kur e dërgoi në Khajber dhe e urdhëroi që të thërrasë në Islam duke i thënë:

فَوَاللَّهِ لأَنْ يَهْدِيَ اللَّهُ بِكَ رَجُلاً وَاحِدًا خَيْرٌ لَكَ مِنْ حُمْرُ النَّعَمِ

“Pasha Allahun, që ti të bëhesh shkak për udhëzimin e një njeriut të vetëm, kjo është më e vlefshme për ty se sa devetë e kuqe.” [3]

Gjithashtu, ai – alejhi salatu ue selam – ka thënë:

 ‏ مَنْ دَعَا إِلَى هُدًى كَانَ لَهُ مِنَ الأَجْرِ مِثْلُ أُجُورِ مَنْ تَبِعَهُ لاَ يَنْقُصُ ذَلِكَ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْئًا

“Ai që thërret për në udhëzim (duke ua sqaruar atë njerëzve), ka po të njëjtin shpërblim sikurse të atyre që e pasojnë atë, pa iu pakësuar aspak nga shpërblimi i tyre.” [4]

Pra, ta thërrasësh atë për tek Allahu, t’ia përcjellësh Islamin dhe ta këshillosh duke ia sqaruar Islamin, kjo është nga gjërat më të rëndësishme dhe është nga veprat që të afrojnë më së shumti tek Allahu.

E dyta: të mos i bëjë padrejtësi jomyslimanit, as atij si person, as në pasurinë e as në nderin e tij. Nëse jomuslimani është dhimmij, ose mustemin, ose muahed [5], ai e ka detyrë që të respektojë të drejtën e tij; të mos i bëjë padrejtësi në pasurinë e tij me vjedhje, tradhti dhe mashtrime. Të mos i bëjë padrejtësi në veten e tij, që ta rrahë ose ta vrasë atë. Meqë ai është muahed ose dhimmij ose mustemin, kjo gjë e mbron atë.

E treta: nuk ka ndalesë që të ketë shitblerje dhe të huazojë nga jomuslimani. Është vërtetuar përmes transmetimeve të sakta se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – blinte nga qafirat, adhuruesit e idhujve; dhe se ai blinte nga Jehudët. Pra, kjo është një marrëdhënie. Pejgamberin – alejhi salatu ue selam – e gjeti vdekja ndërkohë që kishte lënë peng parzmoren e tij te një Jehudi për ushqimin që kishte marrë për familjen e tij [6].

E katërta: mos ta përshëndesë ai i pari jomuslimanin me selam (fjalën ‘selamun alejkum’), por t’i përgjigjet nëse fillon ai i pari, për arsye se Pejgmaberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

‏ لاَ تَبْدَءُوا الْيَهُودَ وَلاَ النَّصَارَى بِالسَّلاَمِ

“Mos filloni të parët me selam ndaj Jehudëve dhe të Krishterëve.” [7]

Po ashtu ka thënë:

إِذَا سَلَّمَ عَلَيْكُمْ أَهْلُ الْكِتَابِ فَقُولُوا وَعَلَيْكُمْ

“Nëse Ehlul-Kitabi ju përshëndesin me selam, ju kthejuani duke u thënë: “ue alejkum”. [8]

Pra, Muslimani nuk u jep i pari selam qafirëve, por nëse Jehudiu ose i Krishteri të jep selam, ti i thua “ue alejkum”, siç ka thënë Pejgamberi – alejhi salatu ue selam. Pra, kjo është nga të drejtat që kanë të bëjnë me Muslimanin dhe qafirin.

Nëse e ke komshi jomuslimanin dhe ai është i varfër, i jep lëmoshë, i dhuron diçka, e këshillon atë për ato gjëra që i bëjnë dobi, sepse këto gjëra janë shkak që atij t’i shtohet dashuria për Islamin dhe të hyjë në Islam. Po ashtu, komshiu ka të drejta, Pejgamberi – alejhi salatu ue selam – ka thënë:

مَا زَالَ جِبْرِيلُ يُوصِينِي بِالْجَارِ حَتَّى ظَنَنْتُ أَنَّهُ سَيُوَرِّثُهُ ‏

“Xhibrili më porosiste vazhdimisht që të sillem mirë me komshiun, saqë mendova se do të më zbresë shpallje që edhe komshiu të ketë hise në trashëgimin e pasurisë.” [9]

Pra, nëse komshiu është qafir, ai ka të drejtën e fqinjësisë. E nëse ai është i afërm, atëherë ai ka dy të drejta: të drejtën e fqinjësisë dhe të drejtën e afërsisë familjare. Nga të drejtat e komshiut është që t’i japësh lëmoshë nëse është i varfër, përveç zekatit vjetor dhe t’i bësh mirë atij, për arsye se Allahu i Lartësuar thotë:

﴿لَّا يَنْهَاكُمُ اللَّـهُ عَنِ الَّذِينَ لَمْ يُقَاتِلُوكُمْ فِي الدِّينِ وَلَمْ يُخْرِجُوكُم مِّن دِيَارِكُمْ أَن تَبَرُّوهُمْ وَتُقْسِطُوا إِلَيْهِمْ ۚ إِنَّ اللَّـهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ﴾

“Allahu nuk ju ndalon që të silleni mirë dhe të jeni të drejtë me ata që nuk ju luftojnë juve për shkak të fesë dhe nuk ju dëbuan nga vatrat tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do ata që mbajnë drejtësi.” El-Mumtehineh, 8

Po ashtu, transmetohet në një hadith të saktë nga Esma bija e Ebu Bekrit – radijAllahu anhuma – pasi që u bë marrëveshja midis Pejgamberit – alejhi salatu ue selam – dhe banorëve të Mekkes, nëna e Esmasë e cila ishte mushrike, erdhi për ta takuar të bijën me qëllim për t’i kërkuar një ndihmë asaj. Esma e pyeti Pejgamberin – alejhi salatu ue selam – se a ta takonte atë dhe a të mbante lidhje me të, Pejgamberi i tha: “Po! Mbaj lidhje me nënën tënde.” [10]

Gjithashtu, në lidhje me festat e jomuslimanëve, nuk i lejohet Muslimanit që të marrë pjesë në festat e tyre dhe as në kremtimet e tyre vjetore, por nuk ka problem që t’i ngushëllojë ata për të vdekurit e tyre nëse ata e hapin shtëpinë për të pritur njerëz, dhe u thotë atyre “Allahu ua largoftë këtë fatkeqësi,” ose u thotë “Allahu ju dhëntë të mira pas këtij pasardhësi”, ose u thotë fjalë të mira të ngjashme si këto. Përderisa i vdekuri është qafir, nuk lutet për të dhe nuk i thotë atij që e ngushëllon “Allahu e faltë të vdekurin” e as nuk i thotë “Allahu pastë mëshirë për të,” por lutet për të gjallin që Allahu ta udhëzojë dhe që të bëjë vepra të mira, ose me fjalë tjera të ngjashme si këto.

 

Pyetje: Një pyetës tjetër nga qyteti i Dhahranit thotë: “Si duhet Muslimani t’i kufizojë lidhjet e tij me jomuslimanët, siç janë marrëdhëniet ndër-njerëzore dhe pjesëmarrja në një festë lamtumire te një koleg pune që nuk është musliman?

 

Përgjigje: Kjo çështje ka shtjellim të detajuar. Rrethanat e qafirit dallojnë me atë të Muslimanit dhe dallojnë rrethanat e Muslimanit me vëllezërit e tij Muslimanë, ajo që dua të them është: Muslimani nuk i jep selam i pari qafirit, përkundrazi nëse qafiri i jep selam i pari, ai e ka detyrë që t’ia kthejë duke i thënë “ue alejkum”.

Nuk ka ndonjë ndalesë që ta pyesë qafirin duke i thënë “Si je? Si i ke fëmijët?” Nuk ka  ndonjë problem për këtë. Po ashtu nuk ka problem nëse ha bashkë me të nëse e kërkon nevoja një gjë të tillë. Nuk ka problem nëse i përgjigjet ftesës së tij ashtu siç iu përgjigj Pejgamberi – alejhi salatu ue selam – ftesës së Jehudëve dhe hëngri bashkë me ta. Por, nuk duhet ta bëjë atë shok dhe dashamirë, e as nuk duhet që ta miqësojë atë, që do të thotë ta ndihmojë kundër vëllait të tij Musliman, por e konsideron atë si të gjithë njerëzit e tjerë dhe nuk duhet që t’i kërkojë që të kenë shoqëri të veçantë.

Nëse ai i jep selam, ky ia kthen (ue alejkum) dhe e pyet atë për gjendjen e tij; blen dhe shet nga ai. Pejgamberi – alejhi salatu ue selam – kishte shitblerje me Ehlul Kitabin, ua kthente selamin, u përgjigjej ftesës së tyre. Për të gjitha këto nuk ka problem. Ajo që është e ndaluar është që të mos i zë për shok dhe miq. Kjo është e ndaluar. Sepse mushrikët janë miq të njëri-tjetrit, kurse muslimanët janë miq të njëri-tjetrit.

Nëse ata kanë organizuar një festë lamtumire dhe kjo është një ftesë për t’i dhënë lamtumirën njëri-tjetrit, më parësore dhe më e arsyeshme është që të shmanget pjesëmarrje në këtë festë, sepse pjesëmarrja në këtë festë tregon respekt dhe madhërim. Andaj, ajo që mendoj unë, më parësore dhe më e sigurta është që mos të marrësh pjesë në këtë festë.

 

_______________________

[1] (Shënim i Përkthyesit): Shejkh Uthejmini – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: Njerëzit që janë të ndaluar të dëmtohen (në veten e tyre, pasuri dhe nder) janë katër kategori:

    1)    El-Mumin (besimtari Musliman)

    2)    Edh-Dhimmij

    3)    El-Muahed

    4)    El-Mustemin

Besimtari Musliman është i mbrojtur për shkak të besimit (imanit të tij në Allahun).

Dhimmij-u është i mbrojtur për shkak të garancisë.

Muahed-i është i mbrojtur për shkak të marrëveshjes.

Mustemin-i është i mbrojtur për shkak të sigurisë që i është garantuar nga Muslimanët. 

Dallimi midis këtyre treve – dhimmij, muahed dhe mustemin – është:

Dhimmij është jomuslimani që jeton në shtetin Islam dhe midis nesh dhe atij ka marrëveshje paraprake që ai të jetojë në shtetin tonë dhe të jetë i mbrojtur, në këmbim të një takse që ai duhet të paguajë. 

Muahed është jomuslimani që jeton në shtetin e tij, por ne kemi marrëveshje me shtetin e tij që ata mos të na luftojnë neve dhe ne mos t’i luftojmë ata. 

Mustemin është jomuslimani të cilit nuk i kemi ofruar ndonjë garanci apo marrëveshje, por i kemi premtuar siguri për një kohë të caktuar. Për shembull, kur një person që është prej një vendi me të cilin shteti Islam është në luftë me ta, hyn në shtetin Islam për të bërë tregti ose për të kuptuar Islamin. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَإِنْ أَحَدٌ مِّنَ الْمُشْرِكِينَ اسْتَجَارَكَ فَأَجِرْهُ حَتَّىٰ يَسْمَعَ كَلَامَ اللَّـهِ ثُمَّ أَبْلِغْهُ مَأْمَنَهُ ۚ ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ قَوْمٌ لَّا يَعْلَمُونَ﴾

“E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon mbrojtje, ti siguroji mbrojtje atij në mënyrë që t'i dëgjojë Fjalët e Allahut, e pastaj përcille deri në vendin e tij të sigurtë. Kjo (garantimi i sigurisë që ne kemi ligjësuar për ta) ngase ata janë popull që nuk e dinë (nuk e dinë fenë e Allahut, Islamin).” Et-Teubeh, 6

Burimi:https://selefi.org/index.php/jo-muslimane/2473-sheriati-e-ndalon-demtimin-e-kater-lloje-njerezish-shejkh-uthejmin

[2] Muslimi (1893).

[3] Bukhariu (3009) dhe Muslimi (2406). (Shënim i përkthyesit): Devetë e kuqe ishin pasuria më e madhe dhe më e çmuar e arabëve në atë kohë.

[4] Muslimi (2674).

[5] (Shënim i përkthyesit): Shiko fusnotën nr. 1.

[6] Bukhariu (2916).

[7] Muslimi (2165).

[8] Bukhariu (6258) dhe Muslimi (2163).

[9] Bukhariu (6015) dhe Muslimi (2625).

[10] Bukhariu (3183) dhe Muslimi (1003).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari

12 Sheual 1440 h.

15 Qershor 2019

Gostivar