Burimi: Et-Talik el-Kauim ala Kitab Iktidai es-Sirat el-Mustekim, vëll. 3, fq. 955
Allahu i Madhëruar thotë:
وَالَّذِينَ لَا يَشْهَدُونَ الزُّورَ
“Ata që nuk marrin pjesë në të rrejshmën (ez-zuur).” el-Furkan, 72
Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Ed-Dahaak ka thënë: “Ajeti ‘Ata që nuk marrin pjesë në të rrejshmën...’ me fjalën ‘e rrejshmja – ez-zuur’ janë për qëllim festat e mushrikëve.”
Amër bin Murrah ka thënë: “Ajeti ‘Ata që nuk marrin pjesë në të rrejshmën...’ do të thotë: Ata që nuk anojnë nga njerëzit e shirkut kur ata bëjnë shirk dhe nuk përzihen me ata.”
Transmetohet nga Ata bin Jesar, se ka thënë: “Mos hyni në kishat e mushrikëve (të Krishterëve) kur ata i kremtojnë festat e tyre.”
Fjala e këtyre Tabi’inëve se me fjalën “ez-zuur” janë për qëllim festat e kufarëve, nuk bie ndesh me fjalën e disa të tjerëve që kanë thënë: “Fjala ‘zuur’ është për qëllim shirku apo një idhull që ishte në kohën e Xhahilijetit.” Ose me fjalën e disa të tjerëve që kanë thënë: “’ez-Zuur’ janë për qëllim vendet ku ka amoralitet dhe degjenerim.” Ose disa të tjerë që kanë thënë: “Ez-zur është muzika.” Për arsye se Selefët kështu e kishin zakon që të bënin shpjegime rreth Kuranit, duke e theksuar një gjë të caktuar që ishte e nevojshme për pyetësin...
Ai që dëshmon rrejshëm shfaqet me fjalë para të tjerëve, porse në realitet ato fjalë bien ndesh me atë që ai fsheh përbenda. Për këtë arsye, Selefët ndonjëherë fjalën “zuur” e kanë komentuar se ajo shfaqet si e bukur për shkak se është e dyshimtë, kurse në esencë është e fëlliqur. Kështu është edhe shirku dhe të ngjashmit si ai, shfaqet bukuria e tij për shkak se është i dyshimtë. Po ashtu edhe muzika dhe gjërat e ngjashme me të, duket e bukur për shkak të pasionit dhe epshit që ngjallë.
Festat e mushrikëve përmbajnë në vetvete: dyshimin, epshin dhe të rrejshmën dhe nuk ka kurrfarë dobie në këto festa për fenë. E sa për kënaqësinë e përkohëshme të këtyre festave, kjo kënaqësi përfundimin e ka të dhimbshëm dhe kështu këto në fund dalin pavërtetësi dhe falsitet. Po kështu janë edhe ata që e shikojnë atë festë dhe marrin pjesë në të.
Përderisa Allahu i ka lavdëruar ata që i braktisin këto festa dhe nuk marrin pjesë në to që t’i shikojnë apo t’i dëgjojnë, atëherë çfarë të themi për atë që pajtohet duke bërë më shumë, siç është bërja e ndonjë veprimi në këtë festë i cili konsiderohet veprim me të rrejshmën, e jo thjeshtë të marrë pjesë në këto festa?!
Përktheu: Jeton Shasivari