Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij bin Hadij ‘Umejr el-Medkhalij

Burimi: El-Mexhm’u er-Raik, fq. 335-336

 

 

I Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – thotë:

 

“Jam dërguar që t’i shkatërroj idhujt.” [1]

 

Ai – alejhi salatu ue selam – dërgonte misionarë për të prishur varret (që adhuroheshin) dhe idhujt. Ai dërgoi Xheririn për ta djegur Dhu el-Khalasah [2] në Jemen. Shumë herë e dërgonte Aliun me mision që të prishte varret.[3] Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dërgonte misionarë për të prishur idhujt dhe varret të cilët shumë njerëz i ndërtonin.

 

Kurse ajo që e them unë me vete është: ndoshta disa njerëz e kanë të lehtë prishjen e Kabes dhe nuk e kanë të lehtë prishjen e një varri. Ky është shirk i madh. Ndoshta udhëheqësi nuk gjen fuqi që të prishën varrin. Gjë që ju tregon se ky është shirk i madh, dhe ai që bie në të, është sikur të kishe rënë nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai që e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur. Gjen disa kube (me varre) që kushtojnë me miliona. Disa prej tyre mund t’i gjesh të stolisura me flori. Disa varre që ndërtohen me pasuri që kushtojnë miliona. Kjo është robëria.

 

Andaj, gjëja e parë që duhet të nxitohet për t’u kuptuar koncepti i shirkut, është ky shirk. Ekstremizmi dhe fanatizmi për politikën, i ka larguar shumë njerëz nga njohja e shirkut të vërtetë. Pasha Allahun! Ky shirk ka nevojë për mundin e thirrësve. Nëntëdhjetë e nëntë e mundit duhet të jetë në korrigjimin e Akides, kurse pjesa tjetër e mundit të jetë për anët tjera të Islamit. Ngaqë nuk ka Islam pa pastrimin e zemrave nga ky shirk. Pasha Allahun! Sikur ata të formojnë shtete me pikëpamje politike dhe të besojnë në pikëpamje politike 100 për qind dhe t’i zbatojnë këto pikëpamje,  dhe të ngelnin në një injorancë për Teuhidin e Allahut me të cilën erdhën Pejgamberët – alejhimu salatu ue selam – e të zhyten në errësirat e shirkut, kjo nuk do t’u bënte dobi kurrën e kurrës. Nuk do t’u sjellë ndonjë dobi.

 

Atë që Allahu e begaton me Teuhid dhe e largon nga shirku, edhe sikur të jetojë nën hijen e një shteti qafir, ndërsa ai beson në Allahun dhe e urren këtë kufër, pasha Allahun, ai do të hyjë në Xhenet. Sepse ai e ka realizuar Teuhidin e Allahut me të cilën erdhën Pejgamberët. Shumë njerëzve këto fjalë nuk u pëlqejnë, porse kjo është e vërteta dhe ky është realiteti. Atij që nuk pajtohet me këtë, i përgjigjemi me Fjalën e Allahut – të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit:

فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّـهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّـهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ذَلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا

“...nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë kthejeni atë tek Allahu dhe i Dërguari, nëse i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo për ju është më e mira dhe përfundimi më i mirë.” En-Nisa, 59

 

 

Fundnota:

[1] Këtë hadith e ka nxjerrë Muslimi me nr. 832. Po e sjellim një pjesë të hadithit. Transmetohet nga ‘Amru bin ‘Abeseh es-Sulemij – radijAllahu ‘anhu – i cili ka thënë:

“...dëgjova për një njeri në Meke, i cili jepte lajme. Kështu që, i hipa kafshës së udhëtimit dhe shkova tek ai. Ndërkohë, shoh se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – fshihej në atë kohë ngase populli i tij ia kishin ngushtuar jetën. Unë u solla mirë (me krerët e Mekes) derisa hyra tek ai në Mekke, e i thashë: “Çfarë je ti?” Ai tha: “Unë jam Pejgamber.” I thashë: “Çfarë është Pejgamberi?” Më tha: “Më ka dërguar Allahu.” I thashë: “Me çfarë të ka dërguar.” Më tha: “Allahu më ka dërguar që t’i mbaj lidhjet farefisnore, t’i thyej idhujt dhe të veçohet vetëm Allahu në adhurim dhe të mos i shoqërohet Atij asgjë në adhurim.”

Siç vazhdon hadithi.

 

[2] Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu me nr. (4355, 4256) dhe Muslimi me nr. (2476) nga hadithi i Kajs bin Ebi Hazim, i cili thotë: më ka thënë Xheriri – radijAllahu ‘anhu: më ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

“O Xherir! A do më lirosh nga barra e Dhu el-Khalasah?” Kjo ishte një shtëpi idhujsh e Xheth’amit dhe quhej ‘Qabja Jemenite.” Kështu unë u nisa me pesëqind kalorës nga (fisi) Ahmes, të cilët ishin kalorës të mirë, kurse unë nuk dija të kalëroja, dhe ai (Pejgamberi) më goditi në gjoks derisa gjurmët e gishtërinjve të tij ngelën në gjoksin tim, dhe tha: “O Allah! Bëje atë të qëndrueshëm (në kalërim) dhe bëje atë udhëzues për të tjerët dhe të udhëzuar për vetën e tij.” Kështu ai u nis drejt atij vendi (Dhul-Khasalah) dhe i theu e i dogji ato. Pas kësaj, Xheriri dërgoi një misionar tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe misionari i tha: “Pasha Atë i Cili të ka dërguar me të vërtetën, nuk kam ardhur te ty veçse e kam lënë atë vend sikur të ishte një deve e zgjebosur.” Kështu ai (Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam) u lut pesë herë për begati për kuajt e (fisit) Ahmas dhe për burrat e tij.

 

[3] Këtë hadith e ka nxjerrë Muslimi me nr. 969 nga Ebi el-Hajjaxh el-Esedij, i cili ka thënë: më ka thënë Alij bin Ebi Talib:

“A të të dërgoj për të njëjtin mision që më çoi i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: “Të mos lë figurë pa e prishur dhe as varr të ngritur pa e rrafshuar.”

 

Përktheu: Jeton Shasivari