Autor: Ahmed bin Abdul-Halim bin Abdus-Selam ibën Tejmijeh (728 h.)
Burimi: Iktidau Siratil-Mustekim li Mukhalefeti As’habil-Xhehim, vëll. 1, fq. 83
Po u tregoj disa gjëra të Ehlul-Kitab-it (Jehudëve dhe të Krishterëve) dhe popujve të huaj (jo-Arabëve), gjëra me të cilat është sprovuar edhe ky Ummet, me qëllim që Muslimani i cili ka fe të pastër (hanif), t’i shmanget devijimit nga rruga e drejtë për në rrugën e atyre që fituan zemërimin e Allahut (el-magdubi alejhim - Jehudët) ose të devijuarve (ed-daal-lin - të Krishterët).
Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari – thotë:
﴿وَدَّ كَثِيرٌ مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ لَوْ يَرُدُّونَكُمْ مِنْ بَعْدِ إِيمَانِكُمْ كُفَّارًا حَسَدًا مِنْ عِنْدِ أَنْفُسِهِمْ مِنْ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمُ الْحَقُّ﴾
“Shumë prej Ehlul-Kitab-it duan që t’ju kthejnë juve në pabesimtarë, pasi që ju keni besuar (në Allahun), për shkak të zilisë që kanë në veten e tyre (kundrejt jush), pasi që atyre u është bërë e qartë e vërteta...” El-Bekare, 109
Kështu, Allahu i qortoi Jehudët dhe të Krishterët për zilinë që kishin kundër besimtarëve Muslimanë për udhëzimin dhe dijen që Allahu u dha atyre.
Disa nga Muslimanët që i atribuohen diturisë si dhe të tjerë përveç këtyre, janë sprovuar me një lloj zilie kundrejt atij që Allahu e ka udhëzuar duke i dhënë dituri të dobishme dhe vepra të mira. Natyrisht se kjo zili që kanë këta është moral i keq. Në këtë rast, ai ka një pjesë të moralit të atyre që fituan zemërimin e Allahut (Jehudëve).
Allahu – i Pastri nga çdo e metë dhe i Lartësuari – ka thënë:
﴿إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ مَنْ كَانَ مُخْتَالًا فَخُورًا الَّذِينَ يَبْخَلُونَ وَيَأْمُرُونَ النَّاسَ بِالْبُخْلِ وَيَكْتُمُونَ مَا آتَاهُمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ﴾
“Në të vërtetë, Allahu nuk e do atë që është mendjemadh e mburravec. Ata që janë koprracë, dhe i urdhërojnë të tjerët që të jenë koprracë, dhe e fshehin atë që ua ka dhuruar Allahu nga mirësitë e Tij.” En-Nisa, 36-37
Pra, Allahu i përshkroi ata me koprraci, e që është koprracia në dituri dhe koprracia në pasuri, edhe pse në kontekstit e ajetit është për qëllim më shumë koprracia në dituri. Po ashtu, në një ajet tjetër përveç këtij, Allahu i përshkroi ata se e fshehin diturinë. Siç është Fjala e Tij, të Lartësuarit:
﴿وَإِذْ أَخَذَ اللَّهُ مِيثَاقَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ لَتُبَيِّنُنَّهُ لِلنَّاسِ وَلَا تَكْتُمُونَهُ﴾
“...kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri, se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do ta fshehin atë.” Ali-Imran, 187
Dhe Fjala e Tij:
﴿إِنَّ الَّذِينَ يَكْتُمُونَ مَا أَنزَلْنَا مِنَ الْبَيِّنَاتِ وَالْهُدَى مِن بَعْدِ مَا بَيَّنَّاهُ لِلنَّاسِ فِي الْكِتَابِ أُولَـئِكَ يَلْعَنُهُمُ اللَّـهُ وَيَلْعَنُهُمُ اللَّاعِنُونَ ﴿١٥٩﴾ إِلَّا الَّذِينَ تَابُوا وَأَصْلَحُوا وَبَيَّنُوا فَأُولَـئِكَ أَتُوبُ عَلَيْهِمْ وَأَنَا التَّوَّابُ الرَّحِيمُ﴾
“Me të vërtetë, ata që fshehin argumentet e qarta dhe udhëzimin që Ne e kemi zbritur pasi që i kemi bërë të qarta për njerëzit në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga mallkuesit (melaike dhe njerëzit); përveç atyre që pendohen, përmirësohen dhe bëjnë sqarim, Unë ua pranoj pendimin atyre, sepse Unë jam që ua pranoj shumë pendimet dhe jam Mëshiruesi.” El-Bekare, 159-160
Dhe Fjala e Tij:
﴿إنَّ الَّذِينَ يَكْتُمُونَ مَا أَنزَلَ اللَّـهُ مِنَ الْكِتَابِ وَيَشْتَرُونَ بِهِ ثَمَنًا قَلِيلًا أُولَـئِكَ مَا يَأْكُلُونَ فِي بُطُونِهِمْ إِلَّا النَّارَ وَلَا يُكَلِّمُهُمُ اللَّـهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَلَا يُزَكِّيهِمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ﴾
“Pa dyshim, ata që fshehin prej Librit atë që ka zbritur Allahu dhe e këmbejnë atë me një ‘çmim’ të pavlerë, ata fusin në barkun e tyre zjarr. Në Ditën e Kijametit, Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i pastrojë (nga mëkatet) dhe do t’u japë dënim të dhembshëm.” El-Bekare, 174
Dhe i Lartësuari ka thënë:
﴿وَإِذَا لَقُوا الَّذِينَ آمَنُوا قَالُوا آمَنَّا وَإِذَا خَلَا بَعْضُهُمْ إِلَى بَعْضٍ قَالُوا أَتُحَدِّثُونَهُمْ بِمَا فَتَحَ اللَّهُ عَلَيْكُمْ لِيُحَاجُّوكُمْ بِهِ عِنْدَ رَبِّكُمْ أَفَلَا تَعْقِلُونَ﴾
“Dhe kur ata (Jehudët) takohen me ata që besojnë (Muslimanët), thonë: “Ne besojmë,” ndërsa kur takohen me njëri-tjetrin në fshehtësi, thonë: “A do t’u tregoni ju (Jehudë) atyre (Muslimanëve) atë që ua ka shpallur Allahu (në Teurat), për ta përdorur atë si argument kundër jush (Jehudëve) te Zoti juaj? (O Jehudë) A nuk po logjikoni?” el-Bekare, 76
Kështu që, shkaku së Allahu i përshkroi ata si njerëz që fituan zemërimin e Allahut është sepse ata e fshihnin diturinë; ndonjëherë e bënin këtë gjë për shkak të koprracisë që kishin ndaj diturisë; ndonjëherë për ta treguar diturinë kërkonin në këmbim të kësaj diçka prej të mirave të dunjasë; ndonjëherë nuk e shfaqnin atë nga frika se mos përdoret si argument kundër tyre.
Me këtë cilësi të fshehjes së diturisë janë sprovuar edhe disa grupe njerëzish nga Muslimanët të cilët i atribuohen diturisë. Këta që i atribuohen diturisë, ndonjëherë e fshehin diturinë për shkak të koprracisë që kanë dhe mospëlqimit që kjo mirësi që u është dhënë atyre të mos arrijë te të tjerët. Ndonjëherë, nuk e shfaqin diturinë për shkak të postit të udhëheqjes ose pasurisë, kështu kanë frikë që ta shfaqin dijen sepse u merret udhëheqja ose u pakësohet pasuria.
Ndonjëherë, kundërshton një dijetar tjetër për një çështje të caktuar të fesë ose i përkatësohet një grupi të cilët janë kundërshtuar nga një grup tjetër për një çështje të fesë, me qëllim që ta fshehë diturinë në të cilën ka argument që është në favor të kundërshtarit të tij, edhe pse nuk është siguruar se kundërshtari i tij e ka gabim.
Për këtë arsye, Abdu-Rrahman ibën Mehdij dhe të tjerët, kanë thënë:
أَهْلَ الْعِلْمِ يَكْتُبُونَ مَا لَهُمْ وَمَا عَلَيْهِمْ ، وَأَهْلَ الْأَهْوَاءِ لَا يَكْتُبُونَ إِلَّا مَا لَهُمْ
“Njerëzit e diturisë shkruajnë atë që është në favor të tyre dhe atë që është kundër tyre, ndërsa njerëzit e epsheve nuk shkruajnë vetëm se atë që është në favor të tyre.”
Përktheu: Jeton Shasivari