Autor: ‘Abdul-‘Aziz Ibën Baz (1420 h.)
O ju vëllezër për hir të Allahut! O ju bij! Allahu i ka krijuar krijesat që ta adhurojnë Atë dhe i urdhëroi ata me këtë adhurim. Allahu i dërgoi Pejgamberët dhe i zbriti Librat për këtë gjë të rëndësishme.
Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë:
وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ
“Unë nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit veçse të më adhurojnë Mua.” Edh-Dhariat, 56
I Lartësuari na ka sqaruar se Ai i ka krijuar xhindët dhe njerëzit që të adhurojnë vetëm Atë. Nuk i ka krijuar kot më kot, e as nuk i ka krijuar ata për ndonjë gjë tjetër, sepse Ai i Lartësuari është i Panevojshëm për krijesat e Tij. Porse Ai i krijoi ata që ta adhurojnë vetëm Atë, që t’i respektojnë urdhëresat dhe ndalesat e Tij dhe që t’i nënshtrohen Sheriatit të Tij. Ai i urdhëroi ata me këtë.
Allahu i Lartësuar thotë:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
“O ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj, i cili u krijoi juve dhe ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” El-Bekare, 21
Që do të thotë se, Ai u ka krijuar që të bëheni të devotshëm.
Allahu i Lartësuar thotë:
وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit.” El-Israa, 23
Allahu i Lartësuar thotë:
وَاعْبُدُوا اللَّـهَ وَلَا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا
“Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asgjë në adhurim, dhe silluni mirë me prindërit.” En-Nisa, 36
Allahu i Lartësuar thotë:
وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّـهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ
“Ata nuk u urdhëruan me tjetër gjë, vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë dhe të largoheshin nga çdo adhurim dhe besim i kotë.” El-Bejine, 5
Dhe thotë i Lartësuari:
فَاعْبُدِ اللَّـهَ مُخْلِصًا لَّهُ الدِّينَ ﴿٢﴾ أَلَا لِلَّـهِ الدِّينُ الْخَالِصُ
“Adhuro vetëm Allahun, duke iu përkushtuar sinqerisht fesë së Tij! Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë?” Ez-Zumer, 2-3
Dhe thotë i Lartësuari:
وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولًا أَنِ اعْبُدُوا اللَّـهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ
“Vërtet, Ne kemi dërguar te çdo popull të dërguar që u thoshte atyre: “Adhuroni vetëm Allahun dhe largohuni nga Taguti.” En-Nahl, 36
Ai sqaroi se i çoi të dërguarit për këtë çështje të madhe: që ata t’i thërrasin njerëzit në adhurimin e Allahut, që ta veçojnë vetëm atë me adhurim, t’i përkushtohen sinqerisht vetëm Atij me adhurim, t’u binden urdhrave të Tij, të largohen nga ndalesat e Tij dhe të mos i shoqërojnë Atij askënd në adhurim.
Pra, ata u dërguan për këtë gjë. Gjithashtu edhe librat u zbritën për këtë gjë.
Thotë Allahu i Lartësuar:
كِتَابٌ أُحْكِمَتْ آيَاتُهُ ثُمَّ فُصِّلَتْ مِن لَّدُنْ حَكِيمٍ خَبِيرٍ﴿١﴾ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا اللَّـه
“Ky është Libër, ajetet e të cilit janë të përsosura (në fjalë) dhe pastaj janë shkoqitur (kuptimet e tyre) nga i Urti Absolut dhe i Gjithëdijshmi. Që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut.” Hud, 1
Për këtë gjë zbritën Librat dhe për këtë gjë u dërguan Pejgamberët.
Andaj, është obligim për të gjithë ata që janë të ngarkuar me dispozitat fetare, të rinjtë dhe të moshuarit, burrat dhe gratë, arabët dhe joarabët, xhindët dhe njerëzit, të gjithë këta të adhurojnë vetëm Allahun, të kenë frikë nga Ai, t’i respektojnë urdhëresat dhe ndalesat e Tij, t’i nënshtrohen fesë së Tij dhe t’i përkushtohem vetëm Atij me adhurim dhe askujt tjetër.
Mos t’i drejtohet lutja askujt tjetër përveç Allahut, mos të kërkohet ndihma nga askush tjetër veç Tij; mos t’i mbështetet askujt tjetër veç Tij, mos të falet namazi për askënd tjetër veçse për Të; mos të bëhet sexhde për askënd tjetër veçse për Të; mos të bëhet kurbani për askënd tjetër veçse për Të; mos të bëhet zotimi për dikë tjetër veçse për Të. Kështu duhet vepruar me të gjitha adhurimet tjera.
إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” El-Fatiha, 5
وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ
“Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e sigurta (vdekja).” El-Hixhr 99
Do të thotë derisa të të vijë vdekja.
Përktheu: Abdullah Beqiri